Qytetërim

Bolonja "bombardon" zonën evropiane në dy drejtime

Golat u shënuan nga Rikardo Orsolini në minutën e 23-të dhe Tijs Dalinga, i cili realizoi dy herë, në minutat 29 dhe 51.

Redaksia Zëri
Bolonja "bombardon" zonën evropiane në dy drejtime
FOTO ILUSTRUESE

ITALI-Bolonja e drejtuar nga Vicenzo Italianoja, përveçse ecurisë së shkëlqyer në kampionat, si pretendente serioze për një vend në Kupat Evropiane, po përdor edhe një korsi të dytë: Kupën e Italisë. ​Skuadra e Bolonjës, udhëtuese në Empolin e afërt, ku u shoqërua nga 4 mijë mbështetës në "Kastelani", siguroi një fitore të rëndësishme 3-0 kundër Empolit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, duke u afruar ndjeshëm me finalen.

Golat u shënuan nga Rikardo Orsolini në minutën e 23-të dhe Tijs Dalinga, i cili realizoi dy herë, në minutat 29 dhe 51. ​Empoli kishte eliminuar Juventusin për të arritur në këtë fazë, por e gjendur me mungesa themelore si Ismajli, Malehu, Haasi, Zhurkovski, Sazanovi, Pelegri dhe Anzhorini, u përball me një skuadër në formën e saj më të lartë, e motivuar nga synimi konkret që të fitojë Kupën e Italisë për herë të parë që nga viti 1974. Kështu u gjend pafuqi dhe trajneri D'Aversa aktivizoi në total 5 lojtarë të rinj.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 24 prill në Bolonja, "Dall'Ara", por e parë nga sot duket e mbyllur. Bolonja do të studiojë vetëm se cili nga gjysëmfinalistët kushërinj, Milani apo Interi do të arrijë në finale.

Bolonja në kampionat renditet e katërta me 56 pikë, në zonën e Ligës së Kampioneve, por vetëm 4 pikë më shumë nga Lacioja e vendit të shtatë, jashtë zonës evropiane, që afërmendsh do të provojë të ngushtojë e parakalojë në 8 javët e mbetura. Për çdo rast, fitorja e Kupës së Italisë, mund të "çimentonte" vendin në Ligën e Evropës dhe një tjetër pjesëmarrje të merituar në zonën evropiane për bolonjezët./ZËRI

Poll

MOS HUMB