Aktualitet

Prodhimi mbetet në magazina, fermerët e Maliqit nuk gjejnë treg për grurin dhe qepët

Sasi të mëdha gruri dhe qepësh kanë mbetur të pashitura, ndërsa prodhuesit përballen me mungesën e tregut dhe çmime që nuk mbulojnë as shpenzimet e kryera për kultivimin.

M.K.
Prodhimi mbetet në magazina, fermerët e Maliqit nuk gjejnë treg
foto nga prodhimi i fermereve

MALIQ- Të korrat nuk po përkthehen në të ardhura për fermerët e fushës së Maliqit. Sasi të mëdha gruri dhe qepësh kanë mbetur të pashitura, ndërsa prodhuesit përballen me mungesën e tregut dhe çmime që nuk mbulojnë as shpenzimet e kryera për kultivimin.

Pavarësisht prodhimit të konsiderueshëm fermerët po hasin vështirësi për të gjetur blerës për produktet e tyre. Në këto kushte një pjesë e prodhimit vijon të qëndrojë stok pasi shitja me çmimet aktuale do t'u sillte humbje ekonomike.

Problematika është veçanërisht e ndjeshme në fshatrat Sheqeras, Orman dhe Drithas ku kultivuesit e grurit po përballen me vështirësi për të shitur prodhimin. E njëjta situatë raportohet edhe për qepën një tjetër kulturë bujqësore me peshë në ekonominë e zonës.

Maliqi mbetet një nga zonat e rëndësishme të prodhimit të këtyre kulturave në juglindje të vendit. Sipas të dhënave të sektorit të Bujqësisë gjatë vitit të kaluar në këtë zonë janë mbjellë rreth 3 700 hektarë me grurë dhe 700 hektarë me qepë.

Megjithatë, sipërfaqet e konsiderueshme të kultivuara dhe prodhimi i realizuar nuk janë shoqëruar me mundësi të mjaftueshme për shitje. Për fermerët, shqetësimi tashmë nuk lidhet vetëm me kostot e prodhimit, por edhe me pamundësinë për të siguruar të ardhura nga puna dhe investimi i një viti të tërë./ZËRI

MOS HUMB