TIRANË- Bashkia e Tiranës ka miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak një projektvendim të rëndësishëm që zgjeron programin e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke përfshirë edhe 375 individë dhe familje që nuk kishin mundur të aplikonin në kohë në platformën online “Shtëpia Ime”.
Ky vendim synon të garantojë trajtim të barabartë për të gjitha familjet e prekura, duke u dhënë mundësinë të përfitojnë nga programi i rindërtimit përmes mekanizmave të Bashkisë së Tiranës dhe duke mbrojtur të drejtën e tyre për strehim.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se ky është një vendim që i jep fund një problematike të mbartur prej vitesh.
“Ky projektvendim është shumë i rëndësishëm për të gjitha familjet që kanë mbetur jashtë skemës dhe për të cilat kemi pasur diskutime e komunikime institucionale gjatë gjithë kësaj kohe. Më në fund po u japim një zgjidhje. Njësitë administrative kanë bërë një punë të detajuar identifikimi dhe deri më tani janë evidentuar 375 individë dhe familje. Ky numër mund të ndryshojë në varësi të akteve që janë në proces, vendimeve gjyqësore apo vendimeve të Institutit të Ndërtimit, por të gjithë do të trajtohen me të njëjtat kushte si familjet që kanë aplikuar në sistem,” deklaroi Ristani.
Sipas verifikimeve të kryera nga njësitë administrative, përfituesit janë të shpërndarë si më poshtë:
* Njësia Administrative nr. 2 – 4 familje;
* Njësia Administrative nr. 3 – 4 familje;
* Njësia Administrative nr. 4 – 53 familje;
* Njësia Administrative nr. 5 – 14 familje;
* Njësia Administrative nr. 6 – 77 familje;
* Njësia Administrative nr. 8 – 140 familje;
* Njësia Administrative nr. 9 – 24 familje;
* Njësia Administrative nr. 11 – 25 familje;
* Njësia Administrative Kashar – 2 familje;
* Njësia Administrative Dajt – 4 familje;
* Njësia Administrative Krrabë – 28 familje.
Megjithatë, mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me tensione dhe debate, pasi përfaqësues të opozitës kërkuan që në rendin e ditës të përfshihej diskutimi mbi protestën e flamingove, e cila po vijon prej tre javësh në kryeqytet.
Gjatë mbledhjes, anëtarja e Lëvizjes “Bashkë”, Mirela Ruko, kërkoi që Këshilli Bashkiak të diskutonte shqetësimet e protestuesve, duke u përplasur me kryebashkiaken në detyrë të Tiranës, Anuela Ristani.
“Do doja që pjesë e rendit të ditës sot të jenë dhe protesta, të diskutojmë cilat janë shqetësimet e tyre… ka lidhje me ju njerëz që nuk e di nëse jetoni në këtë qytet, që është kthyer në shtëpinë e kukullave të arkitektëve që na kanë shkatërruar komplet mënyrën si jetojmë. Nëse nuk e ke dijeni pse dalin njerëzit në protestë më lejo të të informoj. Pse keni frikë të diskutoni për çështje të cilat shqetësojnë banorët e Tiranës. Zoti Muharremi kur diskutohen çështje të rëndësishme ju shkoni në tualet…”, u shpreh ajo.
Për disa minuta, ndërhyrja e Rukos bllokoi zhvillimin normal të mbledhjes. Pas disa paralajmërimeve nga drejtuesja e seancës për të respektuar rendin e ditës dhe rregulloren e mbledhjes, ajo u përjashtua nga salla. Pas incidentit, mbledhja e Këshillit Bashkiak vijoi normalisht me shqyrtimin e pikave të parashikuara në rendin e ditës, ndërsa në përfundim u miratuan të gjitha projektvendimet e paraqitura për votim./ZËRI