Politikë

'Territorialja' në Korçë/ Mazniku për protestat: Shenjë e demokracisë! Boçi: Qëllimi i qytetarëve, largimi i Ramës

Para nisjes së dëgjesës, Mazniku u shpreh se protestat qytetare përbëjnë një formë normale të ushtrimit të demokracisë dhe një tregues të funksionimit të saj.

zh.ll
'Territorialja' në Korçë/ Mazniku për protestat:
luciano boci-arbjan mazniku

KORÇË- Në Korçë po mbahet një dëgjesë publike për reformën territoriale, ku bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku ka komentuar edhe protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë. Para nisjes së dëgjesës, Mazniku u shpreh se protestat qytetare përbëjnë një formë normale të ushtrimit të demokracisë dhe një tregues të funksionimit të saj.

“Shqipëria është në një rrugë të zhvillimit të demokracisë. Kështu ka qenë gjatë kësaj kohe dhe ky është një proces i cili është krejt normal.

Jemi një vend i lirë, njerëzit kanë mendime të ndryshme, debatojnë, diskutojnë, zhvillojnë. Sot jemi për një dëgjesë për reformën territoriale që është pjesë e të njëjtit proces. Një procesi ku me mekanizmat që demokracia ka, të gjitha ato, nga dëgjesat te parlamenti, te zgjedhjet, te protestat, te peticionet, te diskutimet.

Kjo në fakt është shenjë e një demokracie të shëndetshme, ku të gjitha këto gjëra funksionojnë. Kemi një diskutim mes të gjitha palëve dhe në fund fare, me mekanizmat që prapë demokracia ka, çështjet zgjidhen me zgjedhjet”, u shpreh ai.

I pyetur nëse protestat qytetare mund të ndikojnë në finalizimin e Reformës Territoriale, Mazniku theksoi se mazhoranca ka një mandat të qartë për të qeverisur dhe për të çuar përpara ndryshimet e nevojshme për vendin, përfshirë procesin e integrimit europian.

“Ne kemi një mazhorancë e cila ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë. Dhe pjesë e këtij mandati është të bëjë ato ndryshime që i duhen Shqipërisë për ta bërë më të mirë, më të fortë dhe për ta bërë më të përgatitur për faktin që në dy vjet ne mbyllim negociatat me Bashkimin Evropian dhe në tre-katër vjet Shqipëria do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ndaj dhe besoj që brenda të gjithë elementeve normalë të demokracisë, detyra e mazhorancës është të jetë e qartë me vizionin që ka dhe të ecë përpara drejt forcimit të Shqipërisë, bashkive të Shqipërisë dhe bërjes gati të të gjithë elementeve, përfshirë shoqërisë sonë, për të qenë një vend anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Mazniku.

Mazniku shtoi gjithashtu se Partia Socialiste ka një marrëveshje me qytetarët shqiptarë, të cilën, sipas tij, po e zbaton në funksion të përmirësimit të vendit. Ai solli në vëmendje edhe të kaluarën politike, duke theksuar se sot qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin lirshëm mendimin e tyre.

“Unë e thashë paraprakisht që është shumë e rëndësishme që njerëzit në demokraci kanë të drejtën të thonë mendimin e tyre dhe është pjesë thelbësore e një demokracie. Dhe duhet gjithmonë të kujtojmë një gjë: që sot jemi në një situatë ku njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë, të thonë mendimin e tyre, të organizohen, të grupohen të grupohen në mënyrën se si e thonë mendimin e tyre dhe kjo gjë është krejt normale. Duhet të kemi parasysh që jo shumë larg në kohë, në kohë ekzistuese, kur njerëzit ishin në shesh, vriteshin.

Unë kam qenë në shesh më 21 janar ku kam dëgjuar dhe i kam ndier fishekët duke fërshëllyer mbi kokën time. Sot jemi në një situatë ku demokracia shqiptare është në një nivel tjetër, ku njerëzit kanë të drejtën e vetë ta thonë mendimin e tyre dhe ka forume demokracia të qënsishme se si e rishikon mendimin e vet, e strukturon mendimin e vet kur e sheh të arsyeshme. Partia Socialiste e Shqipërisë ka një marrëveshje me qytetarët shqiptarë, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje dhe me agjendë për përmirësimin e Shqipërisë”, përfundoi Mazniku.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i opozitës, Luçiano Boçi, u shpreh se qeverisja aktuale shmang ballafaqimin me qytetarët, ndërsa dëgjesa të tilla përfaqësojnë, sipas tij, një formë të shprehjes së pakënaqësisë publike dhe të protestës qytetare.

“Në fakt, ju duket sikur më keni lexuar mendimin, në fakt dua ta parashtroj dhe aty. Ka një lloj nonsensi, por unë gjykoj që çdo fjalë e një qytetari brenda në sallë është një formë e të protestuarit për gjithë ato probleme që po protestojnë sot qytetarët. Prandaj e kemi stimuluar dhe e mirëpresim fjalën e qytetarëve, sepse kjo qeverisje ka një gjë, shmang ballafaqimin me qytetarët. Ky ka qenë në fakt rasti i parë kur them ky, dëgjesa, kjo më saktë, dëgjesa ose ky rast ballafaqimi ka qenë rasti i parë. Dhe vërtet me zor i kanë përtypur fjalët që kanë thënë qytetarët, sepse fjalët që kanë thënë qytetarët sot janë parrulla në shesh, dhe ju e dini shumë mirë. Pra, unë do të thoja që është një formë vazhdimësie e të protestuarit të qytetarëve, por edhe edhe e opozitës”, tha Boçi.

I pyetur për thirrjet e protestuesve që nuk përmendin vetëm “Rama ik”, por edhe “Berisha ik”, Boçi u përgjigj se brenda opozitës ka përpjekje për të ndikuar politikisht përmes deklaratave të tilla, por theksoi se qytetarët kanë një qëllim të përbashkët: largimin e qeverisë aktuale dhe të kryeministrit Edi Rama.

"Tani, këtë e kemi sqaruar dhe është e qartë. Lufta ndaj opozitës përgjatë shumë viteve ka qenë dhe në formën e bërjes së opozitës ndaj opozitës, ndaj PD-së. PD-ja është sulmuar në forma juridike, politike, zgjedhore dhe këto forma janë kaq të lehta. Ka rryma aty brenda që duan të përfitojnë kapital politik, marrin autoritetin e opozitës dhe gjejnë këtë formë për të lëshuar ndonjë thirrje, ndonjë parrullë që nuk na afekton. E rëndësishme është që të gjithë qytetarët janë aty për një qëllim, për një emërues të përbashkët që është largimi i kësaj qeverie dhe largimi i Ramës.", tha Boçi./ZËRI

Poll

MOS HUMB