
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku një polic kosovar u vra në Banjskë të Zveçanit, ngjarje të cilin e ka quajtur “këmbanë të madhe të alarmit”.
“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”, ka shkruar Rama.
Rama ka kërkuar thirrjen e një conference të jashtëzakonshme paqeje, me qëllim shmangien e eskalimit të konfliktit.
“Komuniteti euroatlantik duhet te mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit.
Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, ka shkruar Edi Rama.
Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë.
Sulmet kanë vijuar për orë me radhë, ndërkohë që drejtuesit e shtetit në Kosovë kanë ngritur gishtin në drejtim të Serbisë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
Pas mbledhjes Kurti ka deklaruar se më shumë se 30 persona të armatosur – profesionist ushtarakë dhe policorë serbë – po mbahen të rrethuar në manastirin e Banjskës.
Kurti iu bëri thirrje atyre që të dorëzohen, ndërkohë që kanë publikuar edhe pamjet ku shihen personat e armatosur duke hyrë në Manastir./Zëri.ai