
KUKËS- Ka nisur pa probleme procesi i votimit në Kukës, në zgjedhjet e kësaj të diele që do të mbahen vetëm për kryetarin e Bashkisë pas arrestimit të Safet Gjicit.
Partia Demokratike e Lulzim Bashës zgjodhi që të mos dilte me kandidatë në këto zgjedhje, edhe pse do të ketë komisioner në qendrat e votimit dhe në komisionet e numërimit.
Në Kukës 45 946 qytetarë janë me të drejtë, ndërkohë që në zgjedhje kandidojnë Albert Halilaj nën siglën e PS-së, dhe Emri Vata nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Sa i takon kandidatëve, Halilaj ka mbajtur më herët pozicionin e prefektit të qarkut Kukës, pozicion që tashmë është marrë nga ish-nënkryetari i bashkisë Granit Gjana. Nga ana tjetër Emri Vata është një kandidat që vjen nga radhët e policisë së shtetit, i cili ka mbajtur disa pozicione drejtuese në qytete të ndryshme të vendit.
Kandidati Halilaj ka votuar rreth orës 09:30, ndërsa ka pasur edhe një thirrje për të gjithë qytetarët që të dalin në votime dhe të zgjedhin alternativën më të mirë për qytetin e tyre.
‘Ju falënderoj që jeni prezent. Unë nga qytetarët e Kukësit pres pjesëmarrje votim, për të votuar një djalë që do i shpërbej Kukësit. E vetmja fushatë që s’kemi pas një incident, i përgëzoj për vlerat që kanë përcjell. I ftoj të votojnë alt më të mirë dhe më bindëse për këtë qytet të mrekullueshëm’, tha Albert Halilaj.
Safet Gjici, i cili arriti të fitonte zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë 2 mijë votash në raport me Admir Sinamatin, u vu në prangat e policisë në 24 Qershor, rreth një javë nga publikimi i një videoje erotike, ku ai kryente marrëdhënie seksuale brenda në ambientet e zyrës së tij.
Prej asaj kohe ai ndodhet pas hekurave nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi i kishte premtuar Alma Kaçit fitimin e një tenderi për rehabilitimin e qenve, në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të. /Zëri.ai