
TIRANË- Ish-ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pasi SPAK i sekuestroi truallin që ka përfituar bashkëshorti i saj si "investitor strategjik" në Palasë. Në reagimin e saj të parë pas vendimit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Xhaçka ka zgjedhur që të mbroje bashkëshortin e saj, duke u shprehur se ai ka përfituar nga një pronë private, ndonëse pretendimet e bëra në SPAK pretendojnë të kundërtën.
Po ashtu, ajo ka zbuluar se prona e marrë është vënë në sekuestro preventive prej disa javësh tashmë, edhe pse SPAK e ka bërë me dije sot duke nxjerrë edhe njoftimin zyrtar.
Në fund, ka një mesazh edhe për SPAK: Të bëjë punën e vet i papenguar nga askush!
"Nje kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral. Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e nje pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!,"-shkruan Olta Xhaçka.
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 5512 m2 truall të bashkëshortit të ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Disa ditë më parë pas kallëzimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri. Beleri e kallëzoi Gaçin dhe kryebashkiakun Jorgo Goro në SPAK për këtë truall. Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-kryediplomates, gëzon statusin e investitorit strategjik. Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte./Zëri.ai