
TIRANË- Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka bërë reagimin e parë nga qeveria Rama në lidhje me dosjen ‘Partizani’ e cila çoi në pranga Jamarbër Malltezin, dhe vuri në masën detyrim paraqitje Sali Berishën. E pyetur nga gazetarët, Kumbaro tha se PS do të respektojë dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të drejtësisë së re, për të cilën tha se mazhoranca ka luftuar fort që të ngrihet.
E pyetur gjithashtu mbi pretendimet e Berishës, se SPAK dhe GJKKO kanë shkelur Kushtetutën që kanë dhënë masë sigurie ndaj tij pa marrë miratimin e Kuvendit, Kumbaro tha se drejtësisë së re duhet t’i jepet besim për vazhdimin e punës së saj.
A keni ju si qeveri një qëndrim për rastin e ish-kryeministrit Berisha?
Kumbaro: Në emër të qeverisë mund t'ju konfirmoj se siç kemi bërë në çdo rast tjetër, ne nuk kemi bërë asnjë koment, dhe respektojmë ndarjen e pushteteve. Kjo mazhorancë ka luftuar që sistemi i drejtësisë të ngrihet dhe të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk bëhet asnjë lloj përjashtimi në rastin në fjalë.
A duhet të kishte një autorizim nga Kuvendi?
Kumbaro: Unë nuk jam juriste, jam anëtare e qeverisë, anëtare e Parlamentit, ne kemi besuar që sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur. Ne duhet të presim dhe të mbështesim punën e përfaqësuesve të SPAK.
Vetë kryeministri Edi Rama, por as ministrat e tij, nuk kanë bërë asnjë koment në lidhje me dosjen e SPAK në ngarkim të Berishës dhe familjarëve të tij, edhe pse denoncimi për këtë aferë u bë pikërisht nga socialistët, Taulant Balla ishte asokohe kreu i grupit parlamentar. Për Sali Berishën GJKKO ka vendosur sot një tjetër seancë, pas shtyrjes së asaj të djeshmes, ku pati një seri debatesh. Avokatët e Berishës thanë se kanë çuar në SPAK gjyqtaren Irena Gjoka, pasi sipas tyre ajo ka shkelur Kushtetutën duke firmosur masën e sigurisë për ish-kryeministrin pa marrë më parë miratimin nga Kuvendi. Për Malltezin nga ana tjetër GJKKO konfirmoi masën e arrestit me burg nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave./Zëri.ai