Politikë

Kurti për FT: Nëse s’ka dënim ndaj Serbisë, s’do të ketë dialog

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen nesër në Bruksel për herë të parë që pas një përplasje të dhunshme mes paraushtarakëve serbë dhe policisë së Kosovës që la të vdekur katër persona muajin e kaluar.

k.m.
Kurti për FT: Nëse s’ka dënim ndaj Serbisë, s’do
Albin Kurti

PRISHTINË- "Bisedimet e paqes me Serbinë janë të dënuara të dështojnë nëse Brukseli nuk bëhet më i ashpër ndaj Beogradit,"-kështu e ka nisur intervistën e tij për "Financial Times", kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen nesër në Bruksel për herë të parë që pas një përplasje të dhunshme mes paraushtarakëve serbë dhe policisë së Kosovës që la të vdekur katër persona muajin e kaluar.

Kurti, i cili fajëson Beogradin për sulmin, tha se nuk do të ketë lëvizje nga Kosova derisa bashkësia ndërkombëtare të dënojë Serbinë.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog,”- tha Kurti. 

Nga ana tjetër, qeveria serbe ka mohuar çdo përfshirje në sulm, pavarësisht nga sasia e armëve prej miliona eurosh të përdorura nga paraushtarakët dhe të prodhuara kryesisht në Serbi. Ish-nënkryetari i partisë serbe të Kosovës, Milan Radojiçiç, u arrestua dhe pranoi se ishte organizatori i operacionit, por tha se nuk kishte marrë urdhra nga qeveria në Beograd. Kurti i akuzoi sulmuesit se “përpiqen të nisin një konflikt të ri të armatosur, një luftë të re në Kosovë për të aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”. 

Ai i bëri thirrje të dërguarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçák, të ndalojë “ta konsiderojë Serbinë një forcë të natyrës, një lloj ariu irracional që duhet t'i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë.”

Misioni paqeruajtës i KFOR-it i NATO-s në rajon është forcuar me qindra trupa dhe pajisje të rënda. Ndërsa Kurti tha se ishin të mirëpritur për të ndihmuar në patrullimin e kufirit serb, ai ka kundërshtuar angazhimin më aktiv të forcave në territor./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB