
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në një tjetër konferencë për mediat, përpara mbledhjes së Kryesisë që kanë thirrur në selinë e PD-së. Berisha edhe sot tha se sulmi që po i bëhet atij dhe familjes në fakt godet të gjitha reformat e ndërmarra nga PD për pronën, që sipas tij kanë qenë të suksesshme.
I pyetur nga gazetarët se pse nuk përballet me drejtësinë si Sali Berisha dhe jo si kryetar i opozitës Berisha u shpreh:
Berisha: Si mund ta dëmtoj unë PD-në, kur po e mbroj atë kundër një procesi të shëmtuar politik kundër programit të saj? Si mund ta dëmtoj unë? Përkundrazi, PD është e do mbetet trashëgimtare dhe krenare e këtyre reformave që ndryshuan Shqipërinë më shumë se të gjitha të tjerat.
Nuk kam personale unë këtu, unë kam këtu gjithçka parimore, programe, e cila përballet me një persekutim politik të paimagjinueshëm. Tani të thuash ti se unë letrat me vlerë i paskam futur në përdorim për dhëndrin tim, po nuk ka marrëzi si kjo. Po letrat me vlerë kanë nisur të përdoren në vitin 1995 dhe ato gjer në fund përbëjnë mbi 300 milionë euro që qytetarët kanë përfituar dhe janë pak. Ne shpërndamë letra me vlerë te 1.3 milionë shqiptarë.
Sipas Berishës, ushtria ishte zaptuesi më i madh i pronave.
Berisha: Në pikën 7, para ndryshimit, ligji ndalonte kthimin e pronave, që i shërbenin mbrojtjes kombëtare. Ushtria mbeti zaptuesi më i madh i tokave pas vitit 1992. Ushtria kishte në inventarin e saj, përveç reparteve të stabilizuara, 4 mijë pika hapja, të cilat vendoseshin nga brendësitë e qyteteve, në të gjithë territorin. Shqipëria ka 2 mijë fshatra, ushtria kishte 4 mijë pika hapje.
Detyrimisht do bëhej gjithçka që ky mamuth, i cili keqpërdoronte pronat private të qytetarëve, duhej të ndryshonte. Dhe ne, nga për qëllime mbrojtje, ligji thotë, e kthyem në subjekte të shpronësuara.
U kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes- nuk ishim në në përdorim 4 mijë pika- që janë jashtë strukturës të Forcave të Armatosura, të miratuar nga Presidenti i Republikës.
Nëse i pari nuk e fuste këtë koncept, por i linte ato në mëshirën e cilitdo oficer lokal t’i shiste dhe t’i blinte si të donte, ne përcaktuam si standard pronat që hiqeshin nga plani i hapjes së forcave të armatosura me firmën e Presidentit të Republikës.
Në këtë rast, në pamje të parë mund të mendohet se u cenuan interesat e mbrojtjes. Aspak! Mbrojtja nuk kishte të bënte me stadiumet, me terrenet sportive. Forcat e armatosura kanë të bëjnë me terrenet sportive, me hotelet. Pra, forcat e armatosura është përcaktimi më i saktë që mund t’i bëhet dhe jo ajo e përgjithshme e mbrojtjes. Dhe tokës bujqësore, ushtria ishte pronare, i mbillte, i përdorte për qëllime të ndryshme. Ato nuk mund t’i mbante më, kishte ikur koha e komunizmit kur prodhonin ushqimet e tyre.
Pra, siç e shihni, çdo akuzë e bërë kundër reformave, është akuzë kundër një sistemi, është akuzë e turpshme politike pa asnjë bazë, akuzë që synon të përbaltë një periudhë kur u bënë reformat më intensive në historinë e vendit. Dhe t’i lidhë ato me diçka me të cilën nuk kanë absolutisht asnjë lidhje.