
TIRANË- Kreu i qeverisë, Edi Rama ka reaguar pas zbulimit të faktit se kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nuk ka bërë një kallëzim në SPAK për dosjen "Xibraka". Në reagimin e tij të parë, pas vendimit të SPAK që rrëzoi kërkesën e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, numri një i qeverisë ka shpërndarë me ndjekësit e tij komentin për atë që ka ndodhur. Sipas Ramës, i cili përdor një sërë epitetesh ndaj Bardhit, kjo ishte thjesht një tentativë për zhurmë politike.
"Kjo historia e kallzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë! S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur,"-shkruan Rama ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË I RAMËS:
“Kam bërë kallzim” po kallzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore! Hajde hajde ç’vete! Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë! S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës! Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë
Por ç'ka ndodhur sot?
Paraditen e sotme, Bardhi nxorri vetëm 2 dokumenta ku shkruhej se SPAK nuk kishte marrë parasysh kallëzimin e Olsi Ramës për shpifje ndaj Gazment Bardhit. Kaq u publikua, ndërsa vetë Bardhi komentoi dokumentin e nxjerrë nga vetë ai duke u shprehur se duke qenë se nuk ka shpifje në akuzat që ai ka bërë publikisht, prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj vendosu mosfillimin e procedimit penal ndaj tij. Por më pas, dokumenti i plotë u publikua në media, ku shkruhej se në fakt, Gazment Bardhi nuk ka dorëzuar kurrë një kallëzim penal, ndaj nuk mund të merrej për bazë kundërakuza e Olsi Ramës. Por nga ana tjetër, edhe vetë Bardhi e pranon se nuk ka bërë asnjë kallëzim penal, por thjesht i ka dërguar informacion SPAK-ut, për fillimin e hetimeve ndaj Olsi Ramës, të cilin e ka akuzuar publikisht se ka qenë një prej anëtarëve të grupit "Xibraka", i cili u godit nga DEA amerikane disa vite më parë. /ZËRI