Politikë

Nesër sërish protestë tek Bashkia, Policia merr masa, bllokohet qarkullimi

Tubimi do të mbahet nesër në orën 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës, ndaj do të ketë një bllokim të përkohshëm të qarkullimit  në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

k.m.
Nesër sërish protestë tek Bashkia, Policia merr masa, bllokohet
Pamje nga protesta e fundit

TIRANË- Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa organizative për protestën e nesërme që do të zhvillohet nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës. Tubimi do të mbahet nesër në orën 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës, ndaj do të ketë një bllokim të përkohshëm të qarkullimit  në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Kështu që qytetarët që nesër do të duhet që të përdorin mënyra alternative për të vijuar me lëvizjen. Policia sugjeron linja si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe. Po ashtu, Policia ka edhe një kërkesë për qytetarët që do të marrin pjesë në tubim, duke kërkuar që të jenë të paqtë dhe të mos përdorin molotovë si në rastet e tjera. 

"Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm,"-bën me dije Policia.

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë

Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, 26 prill 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm.

Protesta e nesërme e opozitës do të jetë e katërta në radhë para Bashkisë së Tiranës në lidhje me dosjen "5D". Incidentet e raportuara nga kjo protestë nuk munguan, të tilla ishin hedhja e bojës apo e koktejleve molotov në drejtim të godinës së Bashkisë. Pikërisht këto incidente sollën edhe reagimin e ambasadave që dënuan dhunën./ZËRI

Poll

MOS HUMB