
TIRANË- Është zbardhur arsyetimi i Prokurorisë së Posaçme, për mosfillimin e procedimit penal për deputetin e Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Në vendimin e SPAK thuhet se nuk mund të nisë një hetim për kallëzim të rremë, sa kohë që Bardhi nuk kishte dorëzuar një të tillë për Olsi Ramën.
Në regjistrin e njoftimeve të veprave penale, informohet se nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë kallëzim penal, nga ana e Bardhit. Me këtë argument SPAK ka vendosur të mos regjistrojë padinë e ngritur nga Olsi Rama ndaj Gazmend Bardhit për kallëzim të rremë.
Më tej në argument shtohet që të pranohej kjo kërkesë do të duhej që më parë i padituri të kishte kryer veprime konkrete qoftë pranë prokurorisë së posaçme apo edhe pranë policisë gjyqësore. Ndërkaq argumentet u janë dërguar personave të interesuar, dhe Olsi Rama ka 10 ditë kohë që të mund të apelojë vendimin në apelin e posaçëm.
“…Gazment Bardhi nuk ka depozituar kallëzim penal në prokurori apo në policinë gjyqsore për shtetasin Olsi Rama. Përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji, pasi nuk provohet si element intelektual as edhe ai voluntiv që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale”, thuhet mes të tjerave në vendimin e SPAK.
Sipas prokurorit Gokaj, “nëse Gazment Bardhi do të kishte depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose policisë gjyqësore, atëherë do të ishim para faktit për të rregjistruar procedim penal mbi kallëzimin e shtetasit Ols Rama për të hetuar nëse ishim ose/jo para figurës së veprës penale të “Kallezimit të rremë”.”
Konflikti nisi në 28 mars kur kryetari i grupit parlamentar të PD akuzoi se në dosjen Xibraka është edhe vëllai I kryeministrit Edi Rama duke shtuar se policia ka deklaruar në atë kohë për një person të paidentifikuar.
Më tej ai ka shtuar se Olsi Rama ka përdorur të njëjtin mjet me personat e përfshirë në laboratorin e drogës, e për këtë tha se do të kërkonte në SPAK rihapjen e dosjes së asaj periudhe duke shtuar se ajo ishte me statusin e pezulluar.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe Olsi Rama duke i cilësuar të pavërteta e se për këtë do të ngrite padi në SPAK. Edhe kryeministri Edi Rama i ka cilësuar shpifje dhe deklarata të pavërteta.
/ZËRI