
TIRANË- Prokuroria e Posaçme nuk ka filluar procedim për deputetin e Partisë Demokratike Gazment Bardhi, për denoncimin që atij iu bë për shpifje nga vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.
Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj, më datë 17 Prill, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin e paraqitur nga Olsi Rama.
Olsi Rama kallëzoi Gazment Bardhin me pretendimin se ka shpifur ndaj tij, duke e akuzuar si të përfshirë në Laboratorin e drogës në Xibrakë. Sipas denoncimit të Bardhit, një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.
VENDIMI I SPAK
KONSTATOVA
Se, më datë 02.04.2024, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është depozitur kallzimi me nr. K301 datë 02.04.2024 i paraqitur nga ana e shtetasit Ols Rama që bën fjalë për veprën penale "Kallëzimi i rremë" parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal.Lidhur me materialin kallzues nga ana e organit procedues është rregjistruar kallëzimi penal Nr. 68 datë 09.04.2024, ku janë kryer verifikimet përkatëse pranë zyrës e rregjistrit dhe statistikes në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në përfundim të të cilave kanë rezultuar rrethanat si më poshtë vijon,
I- RRETHANAT E FAKTIT TË REFERUAR
1.1 Në kallzimin penal të dërguar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga shtetasi Ols Rama, pretendohet se kallëzuesi është vënë në dijeni për disa deklarata të pavërteta në një emision televiziv në drejtim të tijë, të bëra nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Gazment Bardhi.
1.2 Konkretisht, kallëzuesi pretendon se i kallëzuari Gazment Bardhi deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në datë 28 Mars 2024 ka qenë i ftuar në emisionin "Opinion", pranë televizionit kombëtar "Klan" dhe gjatë kohës kur zhvillohej emisioni televiz, i kallëzuari ka bërë disa deklarata, të shoqëruara me "prova" që sipas tij e ngarkonin kallëzuesin me përgjegjësi penale si person që ka patur kontakte me individë të përfshirë veprimtari kriminale. Përmbajtja e emisionit televiziv të datës 28.03.202024 "Opinion”, ha cilin ka qenë i ftuar i kallëzuari Gazment Bardhi është publikuar në "Klan": (https:/tvklan.al/opinion-bardhi-denoncon-ramen).
1.3 Në materialin kallëzues, pretendohet që deklaratat e z. Gazment Bardhi në një media kombëtare, që janë dëgjuar e lexuar nga një numër i madh njerëzish, janë jo vetëm të pavërteta, por të përgatitura qëllimisht në mënyrë që të dëmtojnë imazhin dhe figurën e kallëzuesit.
VENDIMI
1. Mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin Nr. 68 datë 09.04.2024 me nr. K301 datë 02.04.2024, (hyrje në Prokurori) të shtetasit Ols Rama.
2. Kopje e vendimit i njoftohet personave të interesuar.
3. Kundër këtij vendimi mundet të bëhet ankim nga personat e interesuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, brenda dhjetë ditëve nga marrja dijeni.
/ZËRI