
TIRANË- Edhe sot mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Nënkryetari i Komisionit, socialisti Plarent Ndreca kërkoi që të shqyrtohej dhe të miratohej plani hetimor, por kjo sipas Albana Vokshit nuk mund të miratohet pa mbledhur provat dhe faktet nga institucionet.
Debatet në Komision
Vokshi: Do të doja të filloja me miratimin e shkresave.
Ndreca: Siç ju e përmendet është miratuar rendi i ditës, por u miratua me një radhë tjetër. Radha fillon me miratimin e planit të hetimit. Në komisionin hetimor janë depozituar dy planet e hetimit, nga dy palët e ekspertëve
Sa kohë është depozituar plani i hetimit, referuar ligjit duhet të fillojmë nga hetimi parlamentar. Hetimi fillon pasi të miratohet plani i hetimit. Ju lutem shumë, propozimi i kolegëve të mi është që pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi dhe miratimi planit të hetimit dhe të fillojmë hetimin.
Vokshi: Më vjen keq që ju keni ardhur për të mos hetuar, për të penguar hetimin parlamentar. Këtë e keni shprehur qartazi dje dhe sot. Keni përdorur edhe gjuhë shantazhuese dhe intimiduese. Por ju them se nuk me shantazhoni dot. Unë do të zbatoj nen për nen ligjin.
Miratimi i planit fillon kur janë mbledhur faktet dhe provat. Këto mblidhen pas marrjes së informacioneve nga institucionet. Në asnjë rast plani hetimor nuk miratohet pa marrë provat e duhura.
Ne kemi një objekt të komisionit, kemi bërë planin paraprak, si do të hetohet sipas kërkesës që ka bërë opozita, dy koncesionet. Fillohet me kërkesat për informacion, më pas kalohet plani. Meqë ju keni depozituar një plan tjetër, do ta lexojmë, do ta diskutojmë dhe e kemi vënë si pikë të dytë të rendit të ditës, për të respektuar atë që ju keni depozituar. Unë do ju ftoja që meqë një muaj ose keni bojkotuar ose keni bllokuar, të miratojmë shkresat dhe më pas me planin tuaj. Mos e ngri zërin këtu dhe mos guxo të mos bërtasësh. Ke në mënyrë të turpshme.
Nuk kanë munguar as akuzat e ndërsjella mes deputeteve të PS-së dhe deputetit Edmond Spaho.
Klodiana Spahiu: Burra që tentojnë të intimidojnë gratë. I them burrave të parlamentit se është veprim i ulët të ofendosh gratë. Bëjmë debat me njëri-tjetrin.
Albana Vokshi: Ti mungove mbledhjen e kaluar dhe nga ana juaj nuk ka një burrë që nuk ka ofenduar gratë. Intimidionin që kanë bërë kolegët tuaj…
Edmond Spaho: Me ato që po dëgjoj këtu po më kujtohet shprehja, mirë pse u çmendën të gjithë po përse në të njëjtën ditë. Zonja po na akuzon se ofendojmë gratë. Këtu s’jemi burra e gra por politikanë. Ju nuk duhet të talleni me ne. Ne ju respektojmë por duhet të respektoni. Ju kërkoni të hetohet nga 2006, tani thoni nuk kemi kërkuar të hetohen vitet e mëparshme. Kjo nuk ka të bëjë me të qenit burrë apo grua por kush thotë të vërtetën.
Petro Koçi: Kërkoj të zbardhet me zë dhe figurë çfarë ndodhi mbledhje n e kaluar. Gjithkush që e ka përdorur fjalë apo gjeste të papërshtatshme të mbajë përgjegjësi.