Politikë

Dosja 'Xibraka'/ Bardhi i përgjigjet Ramës: Nuk bëra kallëzim, dorëzova informacion shtesë

Bardhi shkruan se kreu i qeverisë do ta kuptojë shumë shpejt nëse ka bërë apo jo një kallëzim në SPAK për të vëllanë e tij, Olsi Ramën.

k.m.
Dosja 'Xibraka'/ Bardhi i përgjigjet Ramës: Nuk bëra
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se kreu i qeverisë do ta kuptojë shumë shpejt nëse ka bërë apo jo një kallëzim në SPAK për të vëllanë e tij, Olsi Ramën. Ndër të tjera sqaron se për rastin e "Xibrakës" ka kërkuar nisjen e hetimit duke dorëzuar informacion shtesë, pasi në këtë rast dosja penale ekziston.

"Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste. Tani, do të merremi me fjalorin juridik apo me faktin që të dy vëllezërit Rama janë nën hetim nga SPAK, njëri në dyshim për përfshirje për trafik droge, tjetri, kryeministri, për dyshim në korruptimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së?! Zgjidh e merr Edi Rama! Burrat nuk fshihen pas lojrave të fjalëve! Ta mirëkuptoj dhe inatin që s’të del me rrëzimin e padisë për kallëzim të rremë ndaj meje, sepse u zgjidh edhe dilema që po vetë ngrite si alibi ditore “ose unë në burg, ose Olsi”,"-sqaron në kundërpërgjigjen e tij demokrati

Reagimi i plotë i Gazment Bardhi

Nëse Edi Rama do të kuptonte nga ligji, Shqipëria do të ishte një vend më i mirë, dhe nuk do të ishte në krye të listës së vendeve me korrupsion madhor të përhapur në çdo sektor apo me lidhje të forta me krimin e organizuar. Avokati i çdo afere korruptive dhe kriminale të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të donte që numri 335/1 të mos ekzistonte në databazën e prokurorisë, që kjo e fundit të regjistronte një kallëzim të ri, që raportet e policisë dhe përgjimet e prokurorisë shqiptare dhe gjermane të dosjes Xibraka të mos ekzistonin, që të dhënat e TIMS të mos ekzistonin. Fati i keq i vëllait të madh të Olsit, është që ato ekzistojnë dhe janë në dosjen 335/1. Asnjë propagandë e jotja, veglave të tua, apo mediave në shërbimin tënd, nuk e fshehin dot të vërtetën, as makinën me targë AA 653 DM. As budallëku yt se unë paskam kapur Rai 3, nuk e zhvendos dot vëmendjen nga e vërteta, sado të qeshura shkakton!

Për zhurmën e ditës, do ta kuptojë shumë shpejt Edi Rama, nëse kam bërë apo jo kallëzim në SPAK për vëllain e tij që ka përdorur të njëjtën makinë me kartelin e drogës. Dallimin ligjor të informacionit/kallëzimit që kam dërguar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me kallëzimin e ri që regjistrohet në regjistrin e veprave penale në kuptimin penal të fjalës, mund t’ia shpjegojë fare mirë Engjëll Agaçi, eksperti i tij për çështjet e trafikantëve të drogës. Megjithatë një shpjegim mund t’ia jap dhe unë.

Çështja e hetimit të përfshirjes së Olsi Ramës në trafikun e Xibrakës është njësoj si çështja e hetimit të përfshirjes së Edi Ramës në aferën e korruptimit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal. Për McGonigal kërkova të nisë hetimi. Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston. Njësoj dhe për Olsin e çunave të Xibrakës. Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste.

Tani, do të merremi me fjalorin juridik apo me faktin që të dy vëllezërit Rama janë nën hetim nga SPAK, njëri në dyshim për përfshirje për trafik droge, tjetri, kryeministri, për dyshim në korruptimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së?! Zgjidh e merr Edi Rama! Burrat nuk fshihen pas lojrave të fjalëve! Ta mirëkuptoj dhe inatin që s’të del me rrëzimin e padisë për kallëzim të rremë ndaj meje, sepse u zgjidh edhe dilema që po vetë ngrite si alibi ditore “ose unë në burg, ose Olsi”.

Ndërkohë, bën mirë të qetësohesh, të mendosh alibinë e rradhës dhe të bëhesh gati për interpelancën e së enjtes! Mos u fshih prapë pas fustanit të grave! Alibia se duke mbrojtur Olsin, po mbron Shqipërinë, nuk ta merr kush seriozisht. Shqipëria dhe Olsi nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ti e trajton Shqipërinë si shtëpinë tënde, që e ndan me pjesë për familjarët apo bashkëpunëtorët e tu.

P.s: Me padinë për shpifje nr. 22, bëre gjë, apo e le të tretet me propagandën e ditës?

Por ç'ka ndodhur sot?

Paraditen e sotme, Bardhi nxorri vetëm 2 dokumenta ku shkruhej se SPAK nuk kishte marrë parasysh kallëzimin e Olsi Ramës për shpifje ndaj Gazment Bardhit. Kaq u publikua, ndërsa vetë Bardhi komentoi dokumentin e nxjerrë nga vetë ai duke u shprehur se duke qenë se nuk ka shpifje në akuzat që ai ka bërë publikisht, prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj vendosu mosfillimin e procedimit penal ndaj tij. Por më pas, dokumenti i plotë u publikua në media, ku shkruhej se në fakt, Gazment Bardhi nuk ka dorëzuar kurrë një kallëzim penal, ndaj nuk mund të merrej për bazë kundërakuza e Olsi Ramës. Por nga ana tjetër, edhe vetë Bardhi e pranon se nuk ka bërë asnjë kallëzim penal, por thjesht i ka dërguar informacion SPAK-ut, për fillimin e hetimeve ndaj Olsi Ramës, të cilin e ka akuzuar publikisht se ka qenë një prej anëtarëve të grupit "Xibraka", i cili u godit nga DEA amerikane disa vite më parë./ZËRI

Poll

MOS HUMB