
TIRANË- Ish-kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pasi Prokuroria e Posaçme i dërgoi shkresë Kuvendit ku kërkoi ndryshimin e masës së tij, nga ajo e detyrimit të paraqitjes në masën "arrest shtëpie". Berisha deklaroi për mediat se ai do të zbatojë vendimet kushtetuese.
Ish-kryeministri tha se do ta lexojë shkresën dhe se e voton që nesër, duke treguar se çfarë do vendimi të marrë Kuvendi do e respektojë.
Berisha: Çfarëdo vendimi që pas autorizimit të Kuvendit, do ta respektoj pa asnjë hezitim. Qëndrimi im i përsëritur këtu, juve ua kam thënë; ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Nuk mund të bëhesha një njëri që nuk zbaton kushtetutën. Nëse unë nuk kam pranuar urdhrin e Gjykatës nuk kam pranuar se është shkruarje e Kushtetutës. Do ta respektoj pa asnjë diskutim. Jam 100% dakord, nuk duhet të ketë për deputetët mbrojtje. Që një gjykatës të thotë se nuk është heqje lirie dalje jashtë shtetit, kur kushtetuta sanksionin një nen të veçantë, kjo është të tallesh me kushtetutën. Do parlamenti që ta dorëzojë, e votoj që nesër, nuk kam asnjë kundërshtim. Kanë gabuar rëndë ata që kanë kujtuar se unë nuk paraqitem, jam dhe paraqitem, kësaj radhe kishte të bënim me shkruarjen e neneve të kushtetutës, ishte një akt puçist. Tani Parlamenti të vendosë si të dojë. Une vetë po e përgatisja ta çoja në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e gjitha është e Edi Ramës, por jam pa asnjë kusht për hetimin. Që ky vendim është i drejt apo i padrejtë është tjetër qëndrim. Ky është një frymëzim për opozitën. Ky akt që ndërmerret kundër meje, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën. Në këtë kontekst ndihem më i motivuar se kurrë.
Ditën e sotme SPAK ka kërkuar autorizim në Kuvend për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Do të jetë Komisioni i Mandateve në Kuvend ai që do të vendosë më pas nëse Berishës duhet t’i hiqet apo jo imuniteti.
Dokumenti:
E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit!
Të nderuar Deputetë të Kuvendit!
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr. Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e "Detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe "Ndalim i daljes jashtë shtetit" parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit me burg/ arrest shtëpie, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e proçedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.
Githashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse.
Akuzat e ngritura ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha lidhen me privatizimin e ish-kompleksit Partizani më shumë se një dekadë më parë. Berisha akuzohet se ka shfrytëzuar pozitën e tij, për ti dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke Jamarbër Malltezit, i cili ishte një prej ish-pronarëve të truallit ku shtrihej kompleksi Partizani. Aktualisht në arrest shtëpie është bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme dhe më pas u lirua nga Gjykata e Apelit. Atij i janë bllokuar edhe 25 pasuri./ZËRI