
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka mohuar që asaj apo familjarëve t’i jenë sekuestruar pasuri apo prona për hetimet që po bëhen nga SPAK, për lobimet e padeklaruara të LSI-së. Monika Kryemadhi tha se asaj i janë sekuestruar sende që kanë lidhje vetëm me denoncimet që ka bërë për inceneratorët.
E pyetur nga gazetarja e Zërit Florida Mingla, se për cilat sende kishte kërkuar heqjen e sekuestros në GJKKO, Kryemadhi insistoi që objekti i marrë nga SPAK, lidhej vetëm me inceneratorin e Tiranës.
Monika Kryemadhi:
Sot ne jemi për inceneratorët, asnjë pronë e imja apo e familjes nuk është sekuestruar. Jemi vetëm për betejën e inceneratorëve, sepse afera e inceneratorit të Tiranës është një betejë kriminale, qeveritare dhe mediatike.
Kanë lidhje vetëm me inceneratorin, nuk është sekuestruar asgjë e familjarëve të mi. Është send që ka lidhje me inceneratorët.
Gjatë daljes së sotme për gazetarët, Kryemadhi tha se SPAK-u është në provë për të treguar nëse ka vullnet për të zbardhur skemën e inceneratorëve.
“Dy krime të mëdha ka Shqipëria sot, - theksoi Kryemadhi, - Inceneratorët që është skemë politike kriminale, që nëpërmjet parave të inceneratorëve janë paguar media e gazetarë dhe bandat kriminale të trafikut të drogës. Këto janë dy sfidat e SPAK-ut!”.
/ZËRI