
TIRANË- Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Kuvendit ndryshimin e masës për Sali Berishën, nga ajo e detyrimit të paraqitjes në masën "arrest shtëpie".
Kërkesa e SPAK për Kuvendin, e firmosur nga kryeprokurori Altin Dumani, vjen në një kohë që Berisha ka refuzuar që të zbatojë masën e detyrimit të paraqitjes dy herë në muaj para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj. Duke qenë se Berisha gëzon imunitetin e deputetit, për të lejuar një masë shtrënguese i duhet marrë më parë aprovim Kuvendit.

Vetë Berisha ka deklaruar se në rast se kërkesa për masën ndaj tij do të paraqitej në Kuvend, ai do të binte dakord me çdo vendim të marrë.
E në këtë rast duket se SPAK ka zgjedhur të ndjekë rrugën e kërkuar prej tij. Do të jetë Komisioni i Mandateve në Kuvend ai që do të vendosë më pas nëse Berishës duhet t’i hiqet apo jo imuniteti.
Duke iu referuar nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rast që shkelet masa e sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë më të rëndë në drejtim të personit nën hetim.
“Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.
Akuzat e ngritura ndaj ish-kryeministrit lidhen me privatizimin e ish-kompleksit Partizani më shumë se një dekadë më parë.
Berisha akuzohet se ka shfrytëzuar pozitën e tij, për ti dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke Jamarbër Malltezit, i cili ishte një prej ish-pronarëve të truallit ku shtrihej kompleksi Partizani.
Aktualisht në arrest shtëpie është bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme dhe më pas u lirua nga Gjykata e Apelit. Atij i janë bllokuar edhe 25 pasuri.
/ZËRI