
TIRANË- ZËRI ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës së Posaçme, që lëshoi 15 masa sigurie për aferën e inceneratorëve, duke shpjeguar rolin e secilit prej personave të përfshirë në dosje. SPAK nisi hetimet për inceneratorin e Tiranës, i cili duhet thënë se nuk është ndërtuar si objekt, pas një denoncimi të bërë nga Partia Demokratike në vitin 2020.
Në dosjen e siguruar nga ZËRI, Bashkia e Tiranës njofton në datën 23 Dhjetor 2015 Ministrinë e Mjedisit për përfundimin e një studimi për përmirësmin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në kryeqytet.
Po në këtë shkresë thuhet se nga ekspertët japonezë është vlerësuar mundësia e zgjerimit të Lanfillit të Sharrës. Rreth 3 muaj më vonë, në datën 3 Mars, mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit bihet dakord që procedura për trajtimin e mbetjeve të udhëhiqet pikërisht nga Mjedisi, dhe për këtë janë ngritur dhe grupet e punës së përbashkëta.
PIKËRISHT NË KËTË MOMENT DEL NË SKENË EMRI I KLODIAN ZOTOS, ENDE PA U PARAQITUR OFERTA E PAKËRKUAR!
Klodian Zoto është vënë në dijeni përpara se Ministria e Mjedisit ti kthente përgjigje Bashkisë së Tiranës, përmes një personi kyç që punonte si këshilltar në ministrinë që drejtohej nga Lefter Koka, Vladimir Bezhani. Ky i fundit ka qenë një prej njerëzve kyç që ka punuar në shërbim të Zotos, ku ishte dhe i punësuar në kompaninë e tij, ndërkohë që në të njëjtën kohë shërbente si këshilltar i jashtëm i Lefter Kokës, pa pagesë. Bezhani ishte me një eksperiencë të gjatë në Ministrinë e Mjedisit, nga e cila ishte larguar në vitin 2014, pasi kishte dalë në pension, për t’u rikthyer rreth dy vite më vonë. Sipas SPAK, në vitet që ka punuar pranë kompanisë së Klodian Zotos, Vladimir Bezhani ka përfituar paga në një shifër prej 75 milionë lekësh të vjetra.
Klodian Zoto është vënë në dijeni të Master Planit për menaxhimin e mbetjeve që në datën 10 Shkurt 2016, nga një email i Bezhanit. Në një email që i ka dërguar Zotos, Bezhani njofton punëdhënësin e tij se plani për menaxhimin e mbetjeve ishte gati, dhe se iu duhej që të hartonin më pas dhe studimin e fizibiilitetit në rast se oferta e tyre do të pranohej.
“Përshëndetje Klodi, po të dërgoj masterplanin për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane të Tiranës, hartuar nga japonezët. Është një material i plotë që do të na shërbej për studimin e fizibilitetit përfundimtar, pavarësisht opsionit që do të përzgjidhet. Kalofsh një fundjavë të këndshme bashkë me familjen, Landi”, thuhet në emailin e Bezhanit, dërguar nga adresa zyrtare [email protected].
Vetë Bezhani deklaron se pranë shoqërisë Integrated Technology Services është marrë me këshillimin e publikut, mbi ndikimin që do të kishin në mjedis teknologjitë e përdorura nga kompania në fjalë.
Në një moment të dosjes, Bezhani deklaron se në projektin e inceneratorit të Tiranës do të përdorej një linjë riciklimi automatike, që kushtonte rreth 3 mln euro, por në vend të kësaj është vendosur një linjë e zakonshme, që kushtonte më pak.
Ka qenë pikërisht Alqi Bllako ai që e ka këshilluar Bezhanin që të punonte si këshilltar i jashtëm i ministrit Koka, por pagën do ta merrte te kompania e Zotos. Ai ka punuar për 7 vite në kompani. Vetë ‘pensionisti’ Bezhani pranon se i ka dorëzuar dokumente Zotos, të cilat i siguronte duke qenë se kishte akses si këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit. Bezhani deklaron se studimi i fizibilitetit nuk është hartuar nga kompania e Zotos, por nga një kompani italiane.
Nga të dhënat e SPAK, Ministria e Mjedisit ka pasur kontakte me Integrated Technology, përpara se kjo kompani të paraqiste ofertën e pakërkuar. Vladimir Bezhani është dhe personi që ka hartuar letrën e interesit që ka dorëzuar kompania e Zotos pranë Ministrisë së Mjedisit.
Në një qëndrim të mëvonshëm, Gjykata e Posaçme shprehet se propozimi i Klodian Zotos si ofertë e pakërkuar, nuk mund të konsiderohet e tillë, sa kohë që nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës, kishte pasur një studim për menaxhimin e mbetjeve.
“Shkresa e nisur nga shoqëritë me ‘Letër Interesi’, nuk duhej të ishte konsideruar si propozim i pakërkuar”, thotë Gjykata, pasi në rast se do të ishte një ofertë e pakërkuar, atëherë Autoriteti Kontraktor do të duhet të ngrinte një komision, dhe ti kërkonte dokumentacion shtesë shoqërisë propozuese.
Gjykata konstaton po ashtu se në kohën kur Ministria e Mjedisit ka ngritur Komisionin për dhënien e koncensionit, shoqëria “Integrated Technology” nuk ka pasur asnjë plan konkret për projektin.
Në kohën kur ka qenë Këshilltar, Bezhani i ka kërkuar shtetases Ledjana Bojaxhi, punonjëse në Ministri që të merrte informacion edhe nga bashkitë e tjera për menaxhimin e mbetjeve.
/ZËRI