
TIRANË- Zbardhet një pjesë nga dosja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, për të cilin është vendosur në pranga dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Gazetarja Anila Hoxha shkruan se sipas SPAK, në kohën kur Berisha ishte kryeministër ka nxjerrë një sërë aktesh ligjore e nënligjore në funksion të kthimit të pronave dhe privatizimit të klubit Partizani.
E gjitha në favor të 5 familjeve e pronarëve ku përfitues i drejtpërdrejtë ishte dhëndri i tij.
"Dyshohet se Jamarbër Malltezi ka përfituar 3-5% të pasurisë se paluajtshme të 5 familjeve që ai ka përfaqësuar me prokurë dhe vetë ishte përfaqësues në këmbim të privatizimit, ku ka ndërtuar 17 kulla,"-shkruan gazetarja.
Jamarbër Malltezi u vu sot në pranga, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla, aktualisht ministri i Brendshëm. Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Mesa duket SPAK ka gjetur shkelje ligjore ndaj edhe ka "prerë" fletë-arrestin./Zëri.ai