Aktualitet

10 vite procedura për ta zotëruar/ Historia e ‘Partizanit’ që po çon familjen Berisha para drejtësisë

75 vite më parë, klubi ‘partizani’ nisi rrugëtimin e tij, por shumë shpejt, vendin do ia zinin pallatet shumëkatëshe me vlerë dhjetëra milionë euro.

F.m
10 vite procedura për ta zotëruar/ Historia e ‘Partizanit’
Jamarbër Malltezi, SaliBerisha dhe Shkëlzen Berisha

TIRANË- Vetëm tre vite pasi kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në atë kohë, Taulant Balla dorëzoi një kallëzim penal në SPAK për privatizimin e kompleksit Partizani, vjen dhe goditja e familjes Berisha.

Denoncimi publik ishte bërë tetë vite më parë nga socialistët, si një aferë e pastër korruptive e qeverisë Berisha, por vetëm më 24 nëntor të vitit 2020, Balla u paraqit zyrtarisht në dyert e drejtësisë dhe kërkoi nisjen e hetimeve.

Dy vite më vonë, Balla shkoi sërish në SPAK për të dërguar një  letër, përmes të cilës kërkonte të dinte se çfarë po ndodhte me padinë e bërë prej tij. Balla akuzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministrin Arben Imami.

SPAK i ktheu përgjigje Ballës duke e sqaruar se çështja është nën hetim dhe se është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon 'pastrim të produkteve të veprës penale'.

Por ç’ka ndodhur me kompleksin Partizani?

Nën themelet e 17 kullave, është groposur historia e një klubi sportiv. 75 vite më parë, klubi ‘partizani’ nisi rrugëtimin e tij, por shumë shpejt, vendin do ia zinin pallatet shumëkatëshe me vlerë dhjetëra milionë euro.

Në vitet 1995-1999, familjet Begeja, Llagami, Alimehmeti, Vaqarri dhe Saliaga kërkuan rikthimin e pronës së tyre që kapte sipërfaqen e plot 9260 metër katror, në rrugën ‘Frosina Plaku’, pranë zonës së 21-Dhjetorit.

Nga trashëgimia e familjes Begeja, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi si nip i tyre, përfitonte 1/64-tën e truallit, konkretisht 144 metër katror. Në dukje e papërfillshme, por kaq mjaftoi për të nisur zanafillën e një historie që vijon edhe sot, mbi 20 vite më vonë.

Në vitin 2006, një vit pasi kryedemokrati Sali Berisha erdhi në pushtet, Jamarbër Malltezi përmes një prokure noteriale bëhet përfaqësues i këtij trualli, ku i jepej e drejta të lidhte marrëveshje me kompani ndërtimi duke vënë në shërbim të tyre truallin. Shpërblimi tij do të ishte me një përqindje prej 5 përqind të gjithë kapitalit, që më vonë e bëri të kthehej në përfituesin kryesor.

Procedurat kishin nisur që në muajin nëntor të vitit 2005, kur Ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu filluan procedurat e privatizimit të qendrës më të madhe sportive me përmasa 26.000 metra katrorë, për të cilën rezulton se është paguar vetëm 14.000 euro.

Në katër vite qeverisje, në të gjithë këtë histori u përfshinë 3 ministra të mbrojtjes Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli, Ministri i Financave Ridvan Bode, drejtoria e përgjithshme e hipotekës, drejtorët lokalë dhe të përgjithshëm të Agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave, këshilli i ministrave për të votuar të paktën tre VKM dhe një akt normativ, disa gjeneralë dhe oficerë të lartë të forcave të armatosura dhe dhjetëra zyrtarë publikë.

Gjithashtu u krye dhe një inspektim në zyrën anti-korrupsion të kryeministrisë të drejtuar në atë kohë nga Oerd Bylykbashi. Edhe Lulzim Basha nuk mbeti pas. Ai u bë kryetari i Bashkisë Tiranë dhe vetëm dy vite më vonë, dha leje për të ndërtuar mbi ato toka nje seri kullash prej 120.000 katrore, 35% e të cilave janë në pronësi të familjes Berisha.

Më 31 tetor të vitit 2005 me shkresën nr 280/1 ministri i ekonomisë Genc Ruli propozon privatizimin e Kompleksit Partizani dhe Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu me shkresën nr 9549, datë 14.11. 2005, pranon propozimin edhe nëse Kompleksi Partizani në atë moment ishte akoma pjesë e të ashtuquajturit “plani i përhapjes”.

Plani i përhapjes është lista e pasurive dhe pronave ushtarake që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, me miratimin e presidentit të republikës, ende konsiderojnë asete strategjike dhe privatizimi i të cilave është i ndaluar absolutisht.

Bamir Topi u zgjodh Kryetar i Shtetit në 24 Korrik 2007 me votat e Partisë Demokratike dhe në 29 Gusht, vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, ai nënshkroi “Planin e përhapjes” të ri për vitet 2007-2010 nga i cili Kompleksi sportiv Partizani u hoq. Më 19 shtator 2007 (dmth vetëm 21 ditë pas nënshkrimit të Bamir Topit), Ministri i Ekonomisë Genc Ruli me shkrese 50/1 miratoi kërkesën e privatizimit dërguar nga Fatmir Mediu dy vjet më parë.

Koha kalonte dhe vendi u përball me tragjedinë e Gërdecit që solli largimin e Fatmir Mediut dhe zëvendësimin e tij me Gazmend Oketën, por PD u përball me një tjetër pengesë,  Gjeneralin Vladimir Qirjazi.

Vladimir Qirjazi, gjeneral brigade i forcave të armatosura shqiptare, i emëruar komandant i Komandës Mbështetëse në Gusht 2008, u përball në Marsin e vitit 2009 me urdhrin për t’u përgatitur nënshkrimi i kontratës dhe për t’i dorëzuar komplesin Partizani Jamarber Malltezit dhe trashëgimtarëve të tjerë si akti i fundit i procesit të privatizimit.

Qirjazi, fillimisht u tregua i gatshëm të respektojë urdhërin, por me konsultimin me komisionin që ngriti dhe dokumentacionin përgatitur vendosi të kundërshtojë.

Ai ia kaloi këtë gjë Ministrisë së Mbrojtjes me argumentin se nuk i takonte atij të nnëshkruante diçka për një pronë që nuk kishte qenë kurrë pjesë e inventarit të strukturës që drejtonte.

Ministria e Mbrojties, nga ana tjetër, këmbëngulte se i takonte pikërisht Qirjazit të nënshkruajë.

Këtu nis ping-pongu….

Më 3 Prill 2009, dy ditë pas takimit të dështuar midis Ministrit Oketa dhe Gjeneralit Qirjazi, Gjergji Lezha, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i shkroi Ministrisë së Mbrojtjes duke u ankuar zyrtarisht për vonesën në dorëzimin e Kompleksit Partizani tek trashëgimtarët e ish-pronarët dhe vendos një ultimatum prej 10 ditësh për të mbaruar procedurat e dorëzimit.

Gjenerali Qirjazi sërish nuk bindet…

Në fund të dhjetë ditëve të shënuara në ultimatum, Sali Berisha nënshkruan një urdhër kontrolli anti-korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes.

Një nga dy inspektorët e emëruar nga Oerd Bylykbashi ishte pikërisht një nga ish-pronarët, Ilir Kadiu. Pra, inspektimi qeveritar mbi procedurën e privatizimit, u realizua nga një zyrtar që do të përfitonte nga privatizimi, njëkohësisht një nga 27 trashëgimtarët e familjes Begeja.

Në maj 2009, sapo mori në dorë konkluzionet e bëra nga Inspektori Ilir Kadiu, drejtori i departamenteve të kontrollit antikorrupsion në Keshillin e Ministrave, Oerd Bylykbashi, dërgon një shkresë zyrtare te Ministria e Mbrojtjes me të cilat akuzon gjeneral Vladimi Qirajzin për një seri shkeljesh dhe urdhëron Ministrinë për të nënshkruar kontratën për shitjen e Kompleksit Partizani brenda 5 ditësh.

Porcedura u shty pasi zgjedhjet e qershorit të vitit 2009 ishin shumë pranë…

PD erdhi sërish në pushtet dhe me krijimin e qeverisë ‘Berisha 2’, fokusi u rikthye tek kompleksi Partizani.

Në vend të Oketës, Berisha emëron Arben Imamin si Ministër i Mbrojtjes dhe më 9 shtator 2009 gjenerali Vladimir Qirjazi u transferua sipas sugjerimit te Oerd Bylkbashit dhe në vend të tij Berisha dhe Imami emëruan gjeneralin e Xhemal Gjunkshi.

Më 15 tetor 2009, Arben Imami e delegoi atë për të nënshkruar kontratën "si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes që administron Kompleksin Partizani" dhe të nesërmen, 16 Tetor 2019, Gjunkshi nënshkruan aktin me të cilin i dorëzoën Kompleksin Partizani familjes Berisha dhe trashëgimtarëve të tjerë, duke i dhënë fund njakalvari të nisur 10 vite më herët, por që sot, po çon familjen Berisha përballë drejtësisë!

Poll

MOS HUMB