
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot ka bërë goditjen më të madhe ndonjëherë që nga krijimi i saj! Me urdhër të SPAK është vendosur në masë sigurie "detyrim paraqitje" ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ndërsa në pranga ka përfunduar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet se ka kryer 3 vepra penale: "fshehje dhe deklarim i rremë i pasurisë", "pastrim i produkteve të veprës penale" dhe "korrupsion".
Sipas Kodit Penal, Malltezi rrezikon për secilën vepër penale:
- Fshehje dhe deklarim i rremë i pasurisë: Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.
-Pastrim i produkteve të veprës penale: Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga 7 gjer në 15 vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se 15 vjet me burgim.
- Korrupsion aktiv: Kodi i ri Penal parashikon 1-5 vite burg për korrupsionin aktiv të pushtetarëve
Këtë të shtunë në Aeroportin e Rinasit është arrestuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe ortaku i tij Fatmir Bektashi, të dy për çështjen e kompleksit "Partizani". Më 17 nëntor 2020, ish-kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla kishte ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro.
Nga maxhoranca, e cila ka dërguar dosjen në SPAK, pretendohet se për kalimin e pronësisë janë implikuar ish-ministra të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-presidenti Bamir Topi, ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Gjergji Lezha, ish-drejtori i Anti-korrupsionit në Kryeministri Oerd Bylykbashi, ish-inspektori i Anti-korrupsionit Ilir Kadiu. Por nuk dihet nëse SPAK ka ndonjë vendim për ta./Zëri.ai