
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se është korruptuar nga biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili është marrë gjithashtu nën akuzë për dosjen “Partizani”. Bekteshi akuzohet se ka kryer veprën penale 'pastrim parash” për llogari të dhëndrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Sipas asaj që raportohet në media, një ndër episodet që SPAK përmend është edhe pagesa që Bektashi ka bërë për mbërritjen në Shqipëri të një këngëtari të njohur italian.
Berisha zbuloi gjatë protestës nga shtëpia e tij, se bëhet fjalë për këngëtarin Riccardo Cocciante.
Berisha tha se Bektashi i ka paguar udhëtimin dhe qëndrimin dy ditë në Shqipëri, teksa Cocciante është dekoruar gjatë vizitës së tij nga presidenti i Republikës në atë kohë, i ndjeri Bujar Nishani. Sipas Berishës, ai nuk kishte dijeni për sponsorizimin, madje edhe ai e falënderoi publikisht biznesmenin Fatmir Bektashi.

“Shqiptarët duhet ta dinë se këta anëtarë të organizatës kriminale të Skapit kanë akuzuar për korrupsion me Sali Berishën, Fatmir Bektashin sepse ky biznesmen i nderuar, që ka ndërtuar në të gjithë Tiranën gjithë jetën e tij, dhe që tani ka ndërtuar në tokën e tij, paska sponsorizuar në vitin 2013 një udhëtim të Elhaida Danit dhe Rikardo Koçantes, kur ajo fitoi Voice Of Italy. Ministria e Kulturës ftoi këngëtaren tonë, e cila korri një sukses të jashtëzakonshëm në Itali, dhe mentorin e saj që ishte arkitekt i atij suksesi, Rikardo Koçante në Shqipëri, për të nderuar me një medalje nga Presidenti i Republikës, këngëtarin e njohur italian. Fatmir Bektashi paska sponsorizuar me 4500 euro udhëtimin dhe qëndrimin e tyre dy net në Tiranë. Pra, ky është korrupsioni i Sali Berishës, sepse një biznesmen ka sponsorizuar jo për kryeministrinë, për Ministrinë e Kulturës, në përputhje me të gjitha rregullat, me deklarime dhe çdo gjë, ardhjen e njërit prej personaliteteve më të njohura të këngës dhe muzikës italiane,"- tha Sali Berisha.
Po sot, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën arrest shtëpie për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të cilët u morën të pandehur nga SPAK për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani'. Ndërkohë ndaj bizesmenit Fatmir Bektashi është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, një masë e cila është zbatuar, në ndryshim nga Berisha, për të cilën pati një vendim të dytë, për arrest shtëpie. Sipas SPAK, Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me Jamarbër Malltezi për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive Partizani për kryerje ndërtimesh./ZËRI