
TIRANË- Ministria e Brendshme ka kërkuar ndryshimin dhe shtimin e 11 neneve në Kodin Penal, që lidhen kryesisht me shtimin e sigurisë në shkolla, ku përfshihet edhe trajtimi i disa veprave si pornografia, dhuna seksuale, apo të tjera fenomene.
Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, pasi nisma është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, Taulant Balla tha se do të kërkohet ashpërsimi i dënimit për veprat që cënojnë fëmijët në shkolla. Veprat që do të kryen në ambientet e shkollave dhe në perimetrin e sigurisë, sipas Ministrisë së Brendshme do të duhet që të kenë një dënim më të lartë, duke e cilësuar si një rrethanë rënduese për personat e përfshirë.
“Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:
• Dhuna seksuale (neni 107/a);
• Pornografia (neni 117);
• Trafikimi i të miturve (neni 128/b);
• Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
• Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
• Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);
• Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
• Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
• Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);
• Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291).
Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre”, shkruan Balla në reagimin e tij.