
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të paraqitet sot në seancën në ngarkim të tij që është thirrur në Gjykatën e Posaçme, pasi sipas tij procesi po bëhet në shkelje të Kushtetutës. Tek futej në selinë blu, Berisha tha para mediave se përgjigja e tij ka qenë e pastër, dhe sipas tij Kushtetuta e ndalon dhënien e një mase sigurie ndaj një deputeti, pa marrë më parë aprovimin e parlamentit.
Berisha po përdor argumentin se GJKKO duhet të dërgojë njëherë kërkesën në Kuvend, përpara se të vendosë masë për “cenimin e lirisë së tij”.
Berisha: Jam i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetje, por kurrë për vendime antikushtetuese. Nuk e bëj absolutisht për vete, sepse unë siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin, i cili vendoste barazinë e plotë midis çdo zyrtari dhe qytetarit në Kushtetutë.
Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Edi Rama. Jam gati ta votoj nesër. Jam gati pa asnjë hezitim. Por përse ky ligj është në Kushtetutën e vendit, unë nuk mund të pranoj dot asnjë lloj kompromisi për shkeljen e tij.
Përkundrazi po konsultohem me juristë dhe të tjerë, që të ndërmarr të gjithë hapat e tjerë në mbrojtje të Kushtetutës. Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë.
E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë Kushtetutën e vendit, jam autori i ligjit, që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Nuk duhet të ekzistojë, duhet të jenë të gjithë të barabartë. Hajde atëherë të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta menderosim Kushtetutën.
Për atë nuk jam dakord. Sa kureshtje keni ju, unë besoj se me këto që u përgjigjem, jam korrekt fare. Pra, piramida e trillimit, e mashtrimit dhe e falsifikimit do të shembet. Dhe ju garantoj ju siç ka ndodhur, e bazuar gjithçka në falsifikim, fshehje dokumentesh dhe mashtrime.
Kurse, nuk pengoj asnjë proces gjyqësor, hetimor, etj. E vetmja gjë, kjo është totalisht një formalitet, por një formalitet që buron nga Kushtetuta e vendit dhe unë nuk mund ta shkel.
Berisha ka zgjedhur si avokat mbrojtës Genc Gjokutajn, i cili gjatë ditës së djeshme në seancën që u mbajt në GJKKO për Malltezin dhe Bektashin u përplas me ish-kreun e SPAK Arben Kraja. Shkak ishte moslejimi i pjëmarrjes së avokatit në seancë, pasi Berisha do të kishte një seancë më vete, që do të mbahet pikërisht sot.
Gjithashtu ish-kryeministri pretendon se nuk ka marrë dijeni për seancën e ditës së sotme, edhe pse oficerët e policisë mbërritën që të shtunën në selinë e PD-së, dhe lideri i demokratëve vendosi që të mos i priste, Gjithashtu në banesën e Berishës OPGJ-të kanë shkuar dy herë, edhe pse nuk kanë pasur komunikim direkt me ish-kryeministrin.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi sipas prokurorisë gjatë kohës kur ai ka qenë kryeminisër ka favorizuar ish-dhëndrin për marrjen e pronave, duke privatizuar ish-kompleksin Partizani, i cili ka qenë në listën e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes./Zëri.ai