
TIRANË- Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme është shtyrë, për shkak se Fatmir Mediu kishte njoftuar trupën se do të ishte në seancën në Kuvend, ku u miratua buxheti i vitit të ardhshëm.
Vetë Mediu kishte kërkuar që të ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, dhe për shkak të pamundësisë së tij, seanca u shty për një javë më vonë. Ndërkohë në seancën e datës 14 Dhjetor janë thirrur që të japin dëshminë e tyre për çështjen Gërdeci dhe ish-ministri Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berisha.
Edhe pse kishte kërkuar ‘leje’ që të ishte në Kuvend, Mediu nuk u pa që të votonte pro apo kundër Buxhetit për vitin e ardhshëm.
Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi do të pyeten në cilësinë e dëshmitarit në seancën gjyqësore për ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në masakrën e 15 marsit 2008 në Gërdec.
Emri i Shkëlzen Berishës përmendet në dosjen e Gërdecit, pasi është zbuluar një zarf që ishte nisur nga Ministria e Drejtësisë për të me mbishkrimin ‘për Shkëlzenin’. Në këtë zarf ishte përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës pretendohet se do i dërgohej nga zyra e Aldo Bumçit privatisht Shkëlzen Berishës.
Si Bumçi dhe Berisha kanë folur publikisht lidhur me fax-in dhe kanë zgjedhur gjuhën e mohimit. Ish-ministri i Drejtësisë pasi dilte nga SPAK pretendonte se kjo shkresë është e falsifikuar duke ngritur dyshime tek opozita e asaj kohe.
Çështja e Gërdecit u rihap pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave të tragjedisë. Gjatë shpërthimit në Gërdec, humbën jetën 26 njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë. SPAK ka argumentuar se pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ka pengesa për të hetuar Mediun.
/ZËRI