
TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk ka munguar as në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Shqipërisë. Siç duket edhe nga videoja e siguruar nga ZËRI, Rama hyn në Kuvend në një moment qetësie, por me t'u pikasur nga deputetët e opozitës ka nisur aksioni. Të gjithë të pranishmit nga ana e djathtë e Kuvendit kanë trokitur duart mbi tavolina, ndërsa Bledion Nallbati dhe Asllan Dogjani kanë ndezur flakadanët. Kësaj here kishin zgjedhur ngjyrën e gjelbër dhe blu. Megjithatë, flakadanët nuk sollën asnjë efekt tjetër veç përjashtimit të Dogjanit nga Kuvendi.
MOMENTI ME VIDEO:
Çfarë ndodhi sot në Kuvend?
Edhe kjo seancë kaloi me tensione në sallën e Kuvendit. Ende pa nisur mirë, deputetët e opozitës u përplasën me Gardën e Republikës, e cila ishte vendosur në gatishmëri. Megjithatë përplasje kishte sërish, pasi Garda nuk i la opozitarët që të krijonin "malin" me karrige tek Foltorja e Kuvendit. Situata në sallë u përshkallëzua me ardhjen e kryeministrit Edi Rama, moment në të cilin opozita ndezi flakadanët. Por megjithatë gjithçka kaloi shpejt pasi sot seanca u mbyll për vetëm 8 minuta./ZËRI