Një tjetër hap në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian është hedhur këtë të enjte pasi në nivelin e COELA-s është arritur dakordësia për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20.
Vendimi pritet të kalojë në fazën e radhës në COREPER, ku shqyrtimi është parashikuar për mesditën e së premtes. Nëse merr miratimin e këtij mekanizmi procedura do të vijojë drejt zhvillimit të Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Sipas burimeve nga Bashkimi Europian po shqyrtohen disa data për konferencat ndërqeveritare që pritet të zhvillohen gjatë javës së ardhshme. Në këtë kalendar parashikohen takime edhe me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.
Për Shqipërinë, data që po konsiderohet aktualisht është 13 tetori pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAC).
Megjithatë kjo datë mbetet ende në kuadër të planeve paraprake dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20 përbën një tjetër etapë në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa hapi i radhës pritet të përcaktohet pas shqyrtimit në COREPER./ZËRI