TIRANË- Pas kritikave të deputetit të PS Erion Braçe ndaj Reformës Territoriale të propozuar nga mazhoranca në Kuvend ka pasur një replikë mes tij dhe bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale Arbjan Mazniku.
Në fjalën e tij Mazniku iu përgjigj argumenteve të Braçes lidhur me kompetencat e bashkive dhe mënyrën se si ato ushtrohen në praktikë. Ai tha se disa prej funksioneve janë tashmë në kompetencë të pushtetit vendor dhe se në raste të caktuara problemi nuk lidhet me mungesën e kompetencave apo pengesat ligjore, por me mënyrën se si bashkitë i ushtrojnë ato.
Mazniku tha se e vlerëson debatin që ka zhvilluar edhe më herët me Braçen për këtë çështje, por solli si shembull diferencat mes bashkive në ushtrimin e funksioneve që u takojnë.
“Dhe, siç e shpjegova, gjendemi në një pikë, në të cilën ose kjo reformë humb momentumin dhe nuk ia dalim dot, ose ia dalim nëpërmjet mekanizmave që kemi sot.” tha Mazniku.
Duke iu referuar drejtpërdrejt kritikave të Braçes për kompetencat e pushtetit vendor, Mazniku pranoi se ka funksione që bashkitë nuk i kanë ose nuk kanë mundësi t'i ushtrojnë, por argumentoi se ka edhe një sërë përgjegjësish që bashkitë i kanë dhe nuk kanë pengesa ligjore për t'i realizuar.
“Dhe për sa i përket funksioneve, po, ju keni të drejtë. Ka disa funksione të cilat sot bashkitë nuk i kanë dhe nuk i ushtrojnë, se nuk i kanë, ose se nuk kanë mundësitë për t’i ushtruar. Por ka plot funksione të cilat, për të qenë plotësisht të vërtetë, bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji, as nga qeveria për t’i ushtruar.” u shpreh ai.
Në vijim, Mazniku përmendi zhvillimin e turizmit strehimin social dhe kujdesin social si disa prej fushave ku bashkitë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta.
“Zhvillimi i turizmit. Lushnja shpenzon? Po. Nuk shpenzon bashkia për këtë punë. Strehimi social është një politikë që duhet ta bëjë bashkia, nuk e bën. Kujdesi social është, është, zoti Braçe. Enti i Banesave ka pjesën e tij dhe ndihmon bashkitë kur mundet. Bashkitë e kanë strehimin kompetencë të tyre prej 2000 vjetësh. Dhe kur bashkitë e shohin të arsyeshme dhe të mundshme të merren me strehimin, e kanë detyrë primare të merren” tha Mazniku.
Pikërisht në këtë pjesë të replikës, Mazniku solli në vëmendje bashkinë e Divjakës, duke e krahasuar me Lushnjën. Përmendja e Divjakës shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Braçes, i cili nga vendi u pa duke kundërshtuar dhe duke vendosur duart në kokë.
“Dhe Lushnja merret, Divjaka nuk merret.” deklaroi Mazniku.
Ai vijoi duke përmendur edhe fusha të tjera të pushtetit vendor, duke argumentuar se disa prej tyre nuk përballen me pengesa ligjore apo financiare për t'u ushtruar.
“Kujdesi social për të sëmurët është funksion. Lushnja e bën, Divjaka nuk e bën. Është mbështetja e arsimit profesional. Lushnja e bën. Transporti publik, sërish. Të gjitha kët janë funksione të cilat nuk kanë asnjë pengesë, as nga ligji, as nga buxheti.” tha Mazniku.
Në vijim të replikës, ai e lidhi situatën e bashkive me nevojën për të ndërtuar projekte dhe programe që mund të mbështeten edhe përmes fondeve evropiane.
“Unë besoj jashtë mase që kryetari i Këshillit Bashkiak të Divjakës do të bëjë gjithçka. E ka të pamundur prej tipologjisë së strukturës ekonomike që ata kanë.” u shpreh ai.
Mazniku theksoi se synimi duhet të jetë forcimi i kapaciteteve të bashkive për të hartuar dhe zbatuar projekte konkrete, me qëllim përfitimin e financimeve nga Bashkimi Evropian.
“Dhe ne na duhen bashkitë që ndërtojnë këto projekte, që ndërtojnë këto programe, në mënyrë që të shkojmë te Bashkimi Evropian dhe të marrim financimet” tha Mazniku./ZËRI