Politikë

"Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve", Braçe kundër reformës, i fiket mikrofoni, PD: Lëreni të flasë (VIDEO)

Në përfundim të kohës së përcaktuar për diskutimin, mikrofoni iu ndërpre. Braçe nuk u largua nga foltorja dhe vijoi të fliste edhe pasi mikrofoni ishte fikur, duke kërkuar që të dëgjohej qëndrimi i tij.

M.K.
"Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e
Erion Braçe

TIRANË- Deputeti i PS Erion Braçe nuk ka ndryshuar qëndrim për reformën territoriale. Gjatë fjalës së tij në Parlament ai kundërshtoi propozimin për hartën e re territoriale duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm dhe duke ngritur kritika të forta për mënyrën se si është hartuar drafti, mungesën e transparencës dhe kompetencat që, sipas tij, u janë lënë bashkive.

Por fjala e Braçes u shoqërua edhe me tension në sallën e Kuvendit. Në përfundim të kohës së përcaktuar për diskutimin, mikrofoni iu ndërpre. Braçe nuk u largua nga foltorja dhe vijoi të fliste edhe pasi mikrofoni ishte fikur, duke kërkuar që të dëgjohej qëndrimi i tij.

Erion Braçe: Janë bërë eksperimente pas ekperimenti. Kam qenë këtu në këtë Parlament, kur kryetarët e bashkive u bënë edhe deputetë. Kur zonat elektorale kaluan kufijtë e bashkive. Qeverisja qendrore për shkak të definicioneve kushtetuese u vendos larg nga qytetari. Pushteti vendor është pushteti i qytetarit, sepse ai është më pranë tij. Reforma, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj, që vizaton një hartë të re territoriale. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrushme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar se harta është produkt i përfitimeve politike, më troç votës. Më e keqja është se këtu jemi edhe sot.

Edhe kjo hartë që me gjasë do të ndryshojë sot, do të marrë fuqi nga 2031. Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre? Bie dakord që populli ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë. Kjo kërkon përgjegjësi e përgjegjshmëri. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka patur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt.

Këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale. Prodhimi, transportimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë funksion i bashkive. Po seriozisht e thoni këtë? Po nuk kemi krijuar ne disa Sha që nuk janë nën kompetencë të bashkive? Ne po na mbysin lumenjtë në Lushnjë e Divjakë. Dua te ndalem edhe te thelbi. Aty flitet për decentralizim të kompetencave. Bujqësia, zhvillimi rural dhe pyjet, bashkitë kanë vetëm 6 kompetenca, pjesën më të madhe të të cilave i disponon edhe si buxhete qevera qëndrore. Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati", tha mes të tjerash Braçe./ZËRI

Poll

MOS HUMB