TIRANË- Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, deklaroi se nisma për Reformën Territoriale do të çohet deri në fund. Nga foltorja e Kuvendit, Manja theksoi se projektligji i depozituar më datën 30 korrik është bërë në përputhje me nenin 68 dhe 69, pika 3 e Rregullores së Kuvendit.
Manja u ndal kryesisht te neni 108 pika 2 e Kushtetutës, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të 15 prillit 2015, lidhur me ‘Territorialen’ e vitit 2014. Sa i përket numrit të bashkive të propozuara, sipas Manjës edhe numri i 46 bashkive që parashikon reforma territoriale e socialistëve, është i lartë.
“Lind pyetja këtu pse 46 bashki e jo 100? Lojë kungulleshash! 46 bashki janë shumë, mendimi im personal! Ne do duhet të kemi një numër më të vogël bashkish duke ruajtur standardin e bashkive minoritare që na bëjnë krenar si shtet”, përfundoi deputeti.
Por, kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi insitoi në pyetjen se cilat janë kriteret dhe parametrat e ndjekur që disa bashki ruhen e të tjera shkrihen. Sipas Bardhit, opozita paraqiti 53 pyetje për reformën territoriale të socialistëve nuk morën asnjë përgjigje.
“Deputetët e opozitës u paraqitën nismëtarëve 53 pyetje, nga të cilat morëm 0 përgjigje. Kjo tregon shumë për cilësinë e projektit që është sjellë sot në seancë plenare. Mazniku duhet të na i shpjegojë këtu me parametra e tabelë se i ka shumë qejf, si janë parametrat e Divjakës dhe Vaut të Dejës. A ndjek kjo reformë parim e standarde? Të vijë e të na i shpjegojë", tha Bardhi./ZËRI