
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar për herë të parë publikisht stilin e disa prej deputetëve të rinj të Partisë Socialiste, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Si një "veteran", Petro Koçi duket se nuk është shumë i kënaqur me stilin që kanë prezantuar gjatë fushatës të zgjedhur nga qarku i Fierit, atje ku edhe socialisti mbante mandatin e deputetit.
I ftuar në emisionin "Off the Record", i pyetur për të zgjedhuri e Fierit, Koçi u ndal veçanërisht te rasti i Zegjine Çaushit, e cila u bë virale për përballjet dhe thumbat e saj ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit. Sipas tij, sjellja e deputetes së re gjatë fushatës ishte e ekzagjeruar. Madje shtoi deri aty sa e konsideroi një "shpërdorim personaliteti". Për të, sjellje të tilla nuk duhet që të përsëriten më.
“Mendoj se ajo ka bërë një gjë që është e ekzagjeruar dhe është një shpërdorim personaliteti në një përmasë që mendoj se nuk duhet të përsëritet më. Nuk është ky imazhi i PS-së. PS-ja është një parti serioze. Kjo nuk duhet të kthehet në një vijë sjelljeje. Për mua është një sakrificë e tepërt. Nuk mendoj se kjo duhet të jetë linja e fushatës së PS-së. Mendoj që gjërat duhen bërë më ndryshe. Ndikon imazhi më shumë se përmbajtja. Sot vendos shumë rrjeti social, padyshim, por duhen bërë gjërat më ndryshe. Si brez janë e ardhmja, por si persona do të varet. Disa prej tyre do të jenë vërtet talente sepse edhe do të stërviten dhe kaliten. Por për mua Parlamenti do përvojë. Sot nuk është nevoja për trimëritë e dikurshme. Sot ka nevojë vetëm për ndershmëri. Të jenë modest dhe të mos kenë shenja arrogance dhe të studiojnë shumë. Nëse ne i dimë nga përvoja, ata duhet të thellohen,"-tha Petro Koçi në fjalën e tij.
Megjithatë, Zegjine Çaushi, pasi mori mandatin, në intervistën e parë për mediat premtoi se do të tregonte një anë tjetër të saj në Kuvendin e Shqipërisë, atë të juristes ekselente./ZËRI