Politikë

Shkrihen Kadastra dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës, një agjenci për të gjitha pasuritë e paluajtshme

Agjencia e re do të ketë tre funksione kryesore, regjistrimin kadastral të pronave, administrimin dhe inventarizimin e pasurive të shtetit, si dhe përfundimin e proceseve të legalizimit, kalimit të tokave bujqësore dhe kompensimit të ish-pronarëve. 

F.I
Shkrihen Kadastra dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës, një agjenci
foto ilustruese

TIRANË- Përmes një projektligji të hedhur për konsultim publik, qeveria propozon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, një strukturë që synon të bashkojë në një institucion të vetëm Kadastrën dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave, por edhe administrimin e pronës shtetërore. ASHK dhe ATP parashikohet të shkrihen brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa funksionet dhe përgjegjësitë e tyre do të transferohen te struktura e re.

Projektligji "Për pronat e paluajtshme të Shtetit në Republikën e Shqipërisë" përbëhet nga 74 nene dhe 8 krerë dhe parashikon edhe shfuqizimin e kuadrit aktual ligjor për kadastrën, duke e zëvendësuar atë me një ligj të ri të integruar.

Shkrihen Kadastra dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës, një agjenci

ASHP-ja do të organizohet në dy nivele, qendror dhe vendor. Në nivelin qendror do të funksionojë Drejtoria e Përgjithshme, së bashku me dy struktura të posaçme: Drejtoria e Trajtimit të Pronës dhe Drejtoria e Pronave Shtetërore. Në nivel vendor do të ngrihen drejtori, të cilat do të mbulojnë territorin e të gjithë vendit. Sipas projektligjit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Pronës do të emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri. 

Shkrihen Kadastra dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës, një agjenci

Agjencia e re do të ketë tre funksione kryesore, regjistrimin kadastral të pronave, administrimin dhe inventarizimin e pasurive të shtetit, si dhe përfundimin e proceseve të legalizimit, kalimit të tokave bujqësore dhe kompensimit të ish-pronarëve. 

Një tjetër ndryshim është krijimi i një harte unike kombëtare të pronave, ndërsa të dhënat për pasuritë private dhe shtetërore synohet të administrohen në një sistem të integruar dhe të digjitalizuar. Për qytetarët, projektligji vendos edhe afate konkrete në procesin e regjistrimit. Gjatë regjistrimit fillestar, pasi publikohen harta dhe të dhënat paraprake të pronave, qytetarët dhe subjektet e interesuara do të kenë 45 ditë për të paraqitur ankesa dhe pretendime.

Shërbimet e agjencisë do të jenë me pagesë, ndërsa regjistrimi i pronës shtetërore parashikohet të jetë pa tarifë. Për pushtetin vendor dhe shoqëritë me kapital shtetëror parashikohen tarifa të reduktuara. Projektligji parashikon gjithashtu masa ndëshkuese ndaj punonjësve të administratës. Në rastet kur dosjet vonohen apo dokumentacioni humbet, punonjësit përgjegjës mund të përballen me gjoba nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë.

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik edhe 2 projektligje për pronat e paluajtshme dhe për përfundimin e  proceseve kalimtare të pronësisë.

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB