Politikë

Sherri në PD fut në ‘siklet’ Kuvendin! Ikën vetë Açka: S'desha të turpëroj grupin

Në takimin e sotëm të Konferencës së Kryetarëve, përveç Gazment Bardhit, ka shkuar edhe demokratja Flutura Açka. Por kjo e fundit ka dalë shpejt nga takimi.

E.K.
Sherri në PD fut në ‘siklet’ Kuvendin! Ikën vetë
Flutura Açka, Lindita Nikolla dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Përplasja brenda radhëve të Partisë Demokratike për postin e kryetarit të grupit parlamentar është shmangur nga vetë deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka. Në takimin e sotëm të Konferencës së Kryetarëve, përveç Gazment Bardhit, ka shkuar edhe demokratja Flutura Açka. Por kjo e fundit, takimin e ka braktisur menjëherë, sapo ka shkuar. Fillimisht, nga mediat u raportua se Açka ishte larguar nga mbledhja, pasi Lindita Nikolla nuk e kishte pranuar si kryetare të grupit parlamentar të Partisë Demokratike (grupit të Lulzim Bashës).

Por situatën e krijuar se sqaroi vetë Flutura Açka në një prononcim për "Zëri.ai", duke u shprehur se ishte e ftuar në mbledhje si kryetare e komisionit të Arsimit, por nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë pozicion, por si kryetarja e grupit parlamentar të PD.

"Nuk ka asnjë vendim nga Kuvendi. Unë dola që të mos e turpëroj grupin parlamentar me dy drejtuesi në një mbledhje. Zonja Nikolla nuk është shprehur ende, kështu që çdo fjalë është abuzive, dhe i shërben shkatërrimit të PD-së,"-tha Açka në prononcimin e saj për "Zëri.ai". 

Mesa duket, të paktën të ketë një përgjigje nga departamenti ligjor i Kuvendit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka vendosur që t’i thërrasë në mbledhje të dy, Bardhin dhe Açkën. Nëse Kuvendi do njihte Flutura Açkën si Kryetare të Grupit, atëherë Gazment Bardhi nuk do ishte thirrur në këtë mbledhje, pasi ai nuk ka asnjë funksion tjetër në Kuvendin e Shqipërisë, përveç atij të deputetit të Partisë Demokratike. Parimisht Bardhi nuk mund të shkarkohet nga posti i kryetarit të grupit, sa kohë që për zgjedhjen e tij kanë vendosur me shumicë votash vetë deputetët demokratë, dhe për shkarkimin e tij nuk ka një vendim nga grupi, por nga organet e reja të PD-së së Lulzim Bashës. 

Ky i fundit në Kuvendin Kombëtar të thirrur në 2 Shtator vendosi zhveshjen e Bardhit nga të gjitha funksionet politike, ndërkohë që delegimin e kreut të grupit (që realisht ka vetëm 10 mbështetës tashmë) t’ia delegonte si detyrë deputetes që e mbështet, Flutura Açkës. Situata në kampin opozitar vijon të mbetet e mjegullt, të paktën në aspektin ligjor, ndërkohë që në terren janë bashkuar grupimet e Berishës dhe të Bardhit, që kanë rreth vetes dhe pjesën më të madhe të deputetëve të PD. Ndërkohë që të paktën me vendimin e fundit të Gjykatës, PD zyrtare mbetet në dorë të të rikthyerit Lulzim Basha!/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB