
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat, ka folur edhe për situatën në kampin opozitar, me Partinë Demokratike, që ende vuan përçarjen mes Bashës e Berishës. I pyetur në lidhje me mundësinë e një bashkëpunimi me Lulzim Bashën, Meta tha se ky i fundit duhet të sqarojë fillimisht pozicionin e tij në raport me qeverine Rama, duke nënkuptuar një bashkëpunim mes tyre.
Sipas Metës, “cilido që bashkëpunon me qeverinë për t’i shërbyer asaj si një zgjatim i saj në kampin opozitar dhe për të bërë opozitën e opozitës së vërtetë ka bërë zgjedhjen e tij.”
“Besoj se kriter për bashkëpunim brenda të gjithë opozitës për një opozitë gjithëpërfshirëse përballë një regjimi që investimin më të madhe ka bërë në përçarjen e opozitës dhe përpjekjen për ta paralizuar atë, pa asnjë diskutim që këtë e ka secili vetë në dorë duke gjetur veten në raport me Ramën dhe qeverinë e tij.
Kështu që cilido që bashkëpunon në çdolloj forme dhe mënyre me qeverinë për t’i shërbyer asaj si një zgjatim i saj në kampin opozitar dhe për të bërë opozitën e opozitës së vërtetë ka bërë zgjedhjen e tij. Secili e ka patur mundësinë për të treguar nëse është në opozitë me këtë regjim apo është në nivelin e tij.”, tha Meta, i cili u ndal fillimisht edhe te situate ekonomike, dhe te zhvlerësimi i euros që ka dëmtuar prodhuesit vendas.
“Tregtia e jashtme ka pësuar për shkak të kursit humbje me 170 milionë euro. 1.4 milionë shqiptarë që përfitojnë nga remitancat janë dëmtuar. Konsumatori shqiptar nuk ka përfituar nga zhvlerësimi i euros, por vetëm qeveria dhe një grup.
Kjo qeveri nuk shqetësohet nga kjo krizë e provokuar nga flukset e larta të parave të pista në qarkullim. Urgjentisht duhet që qeveria e Banka e Shqipërisë të diskutojnë me shoqata prodhuese e transportuese për të evituar këtë krizë, përndryshe kriza do të sjellë pasoja të paparashikueshme. Ne do të bëjmë çdo gjë për të mbështetur biznesin prodhues e eksportues”, deklaroi Meta.