
NEW YORK - Kryeministri i vendit Edi Rama, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka marrë pjesë në takimin vjetor të “Iniciativës Globale Klinton”, që u mbajt në New York.
Kryeministri Rama ishte pjesë e njërit prej paneleve të “Clinton Global Initiative”, ku ka theksuar ndihmën që dha Shqipëria për afganët që u larguan nga vendi i tyre.
Rama u ndal edhe në përpjekjet e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ku për herë të parë në historinë e KS-së, u ngrit nga vendi ynë çështja e bashkërendimit dhe bashkëpunimit të mundshëm në një mënyrë më sistemore midis sektorit privat dhe sektorit publik për të ndërtuar një partneritet dhe aleancë humanitare.
“Ka një tjetër fakt për të cilin kemi marrë mbështetje mjaft të rëndësishme për këtë ide nga një organizatë me të cilin jemi njohur gjatë kësaj krize në Afganistan, “Futures” dhe me ta ne tashmë po marrim edhe disa aktorë mjaft të mëdhenj dhe t’i japim jetë një platforme që çdokush në këtë botë donatorësh, kompanish e vullnetarësh mund të marrin informacion për nevojat, për kë po bën çfarë, për ku është e nevojshme ndihma dhe sigurisht, përmes kësaj platforme të mobilizohen më shumë financime. Ajo çfarë kemi arritur të kuptojmë gjatë këtij ushtrimi është se në fakt, nevojat në nivel humanitar janë shumë më tepër sesa 55 miliardë këtë vit dhe ajo çfarë është mbledhur është më pak se 11 miliardë. Hendeku pra është shumë i madh dhe nevoja për bashkërendim është e jashtëzakonshme”, tha ai.

Ndihma ndaj afganëve
Kryeministri përmendi edhe ndihmën e Tiranës për afganët, që u strehuan në vendin tonë.
“Ai ishte një moment tronditës për mua, sepse kuptova se njerëzit kishin humbur lirinë dhe iknin nga atdheu i tyre. Siguria e grave nuk ishte më dhe të ishe grua në atë vend ishte diçka e rëndë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ne dimë të ndihmojmë ata persona që kanë nevojë për ne. Duke iu dhënë ndihmë njerëzve që ikën dhe lanë regjimin e ri në Afganistan, ne ndërtuam sërish ëndrrat e shumë afganëve”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria mori disa kërkesa nga disa prej organizatave të përfshira, gjithashtu edhe nga senatorja Klinton, por edhe nga të tjerë për t’i pritur këta njerëz që kishin nevojë për ndihmë.
“Shqipëria nuk është një shtet i madh dhe as i pasur, por ne hapëm dyert për afganët, sepse ata nuk mund të liheshin në duar të barbarëve. Prej asaj kohe mësuam që të kemi diçka më sistemore, të vëmë disa gjëra në vijë dhe të heqim sa më tepër kaosin”, u shpreh i pari i qeverisë.
Tërmeti
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama përmendi edhe rastin e vështirë të Shqipërisë, pas goditjes nga tërmeti më 2019.
“Kur jemi goditur nga tërmeti, ne ishim të bekuar, sepse jemi ndihmuar së tepërmi nga miqtë dhe aleatët tanë. Ne morëm ndihmë nga BE, Turqia, Emiratet Arabe. Erdhën ekipe shpëtuese nga gjithë Europa, por edhe nga Izraeli, që na ndihmuan. Po ashtu, ne na ndihmuan shqiptarët kudo ata jetojnë, sepse ne jemi një komb i shtrirë përtej shtetit tonë, edhe në Kosovë e Maqedoninë Veriore, por edhe më gjerë. Ne kemi shqiptarë edhe këtu në SHBA, që kanë restorantet e tyre dhe ku gatuhet në mënyrë të shkëlqyer”, tha Rama.
Duke folur për mobilizimin e fondeve, Rama tha se “po bëjmë në mënyrë mjaft modeste pjesën tonë dhe po përfitojmë nga kjo mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht të qenit anëtar të Këshillit të Sigurimit”.
“Kështu që edhe pse jam shumë i gjatë, jemi shumë të vegjël për të imponuar ndonjë gjë apo për të udhëzuar botën drejt diçkaje. Ne thjesht besojmë që deri tani ia kemi dalë të krijojmë sinergjinë e duhur me këto organizata shumë të mëdha, siç thashë me “Future”, Google është futur në këtë aleancë që do të thoja është një start-up, është fillestare dhe me shpresë dhe të tjerë do të bashkohen me ne. Çdokush mund të sjellë jo vetëm paratë, donacionet por edhe njohuritë sepse Google mund të kontribuojë shumë për shembull, sa për t’ju dhënë një shembull me aspektin teknologjik. Dikush tjetër mund të kontribuojë shumë në aspektin e shpërndarjes dhe kështu me radhë”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se synohet ngritja e një platforme ku të gjithë mund të kenë qasje, mund të informohen dhe mund të shohin në mënyrë transparente kush bën çfarë dhe sa është nevoja për të çuar diku dhe sa është nevoja për të shpenzuar në një vend tjetër. E themeluar në vitin 2005 nga Presidenti Bill Clinton, “Clinton Global Initiative” CGI mbledh liderë shtetesh nga mbarë bota.
Liderët e shteteve të ndryshme të botës, por edhe aktorë të rëndësishëm, synojnë që të hartojnë politika për të zgjidhur disa sfida të rëndësishme që ka sot bota, si ndryshimet klimatike, ekonomia gjithëpërfshirëse, si dhe kujdesi shëndetësor.
Edhe takimi i 2023 u përqendrua tek aftësia për të çuar përpara progreset e bëra, pavarësisht problemeve që dalin, duke marrë angazhime konkrete për situata si fatkeqësia, qëndrueshmëria dhe përmbytjet./Zëri.ai/