
TIRANË - Gjykata e Lartë ka vendosur mospranim të rekursit për ndryshim të masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.
Në korrik të këtij viti, Lefter Alla ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për rekurs të vendimit të marrë ndaj tij, duke kërkuar masën “arrest në shtëpi”. Më herët, Alla ka kërkuar që të lërë qelinë, duke ngritur pretendime se vuan nga zemra.
Akuzat ndaj Allës dhe të tjerëve
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës dhe personat e tjerë, kryesisht ish-punonjës në bashki, kanë rënë në pranga për abuzim me tendera. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.
Prangosjet u bënë me urdhër të SPAK-ut, ndërsa për të mbledhur provat në terren ishin edhe oficerë të BKH-së. Objekt kontrolli nga SPAK ka qenë dhe banesa e vëllait të Lefter Allës, por edhe banesat e personave të tjerë të arrestuar apo që kanë lidhje me ta. Sipas SPAK, bëhej fjalë për një tender rehabilitimi i ujërave të zeza të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.
Nga hetimet kishte dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila ishte në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.
Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kishin si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i 'BE-IS shpk’, ishte Kastriot Ibrahimaj.
Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Enkelejda Lleshi rënduan akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rënduan akuzat për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh u akuzuan edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj. /Zëri.ai/