Politikë

Debate për bastet te “Ekonomia”, Braçe kujton kërcënimet nga burgu, ‘skema’ me kompanitë

Rikthimi i basteve ka përplasur në Komisionin e Ekonomisë Erion Braçen dhe ish-kreun e shoqatës së lojërave të fatit.

E.K
Debate për bastet te “Ekonomia”, Braçe kujton
Artan Shyrti dhe Erion Brace

KOMISIONI I EKONOMISË- Diskutimi në Komisionin e Ekonomisë i projektligjit për lojërat e fatit, ka sjellë një denoncim të fortë nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka pretenduar se deputetët kanë marrë kërcënime nga burgu, pas operacionit “Fundi i Marrëzisë”. Gjatë fjalës së tij në Komision, Braçe u përplas me ish-kreun e Shoqatës së Basteve, Artan Shyrti, i cili tha se ligji që pritet të miratohet ka një sërë problematikash dhe se përmes tij lojtarët e kanë më mirë të vijojnë në paligjshmëri.

Sipas Shytit nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, kjo nismë do të dështojë. “Ligji ka problematika që nuk janë marrë parasysh dhe me këtë ligj lojtarët e kanë më mirë të vijojnë në paligjshmëri. Në botë ka edhe pika fizike jo vetëm online. Ligji kërkon të deklarohen edhe shumat e vogla, kjo do pengojë edhe turistët të luajnë. Pse të jenë vetëm kompani të huaja, ato do i dërgojnë paratë jashtë. Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, kjo nismë do të dështojë”, tha ai.

Mirëpo sipas Braçes, fjalia që ‘nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin do të bëhet shumë keq’, është një shantazh i hapur për deputetët.

Braçe pyeti Shytin se kush i drejton kompanitë që tashmë operojnë në tregun e zi, por pa marrë një përgjigje për këtë, ndërsa akuzoi dhe segmente të policisë për lidhje me bastet. 

 “Ajo që më bën habi në këtë komision, është se dhe një pjesë e jona dhe një pjesë e atyre që ftohen bëjnë sikur nuk e dinë se ça ka ndodhur me këtë fenomen. T’i themi gjërat siç janë. Në 2018 për vite të tëra me radhë këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. Qartazi fare, mund të mos pëlqej, pasi nuk je i lidhur me krimin, por më vjen habi, por t’i nuk duhet të përfaqësosh krimin në këtë institucion.

Ajo fjalia juaj që ‘po s’u kthyen ato kompani që ishin, do të jetë shumë keq’ është përkthyer si shantazh. Me përjashtim të një kompanie që rezistoi deri në fund, të tjerët u detyruan që t’i linin pikat e basteve. Ajo kompani refuzoi që të shiste aktivitetin, biznesin.

U detyruan përmes dhunës dhe krimit. Ju mund të vazhdoni të thoni jo; por unë dhe ca njerëz që janë në këtë komision, e dini se ça kemi hequr nga burgu unë dhe kolegët, nga zgëqet e burgut përmes telefonave, duke na kërcënuar me kalamaj dhe me shtëpi. Tani po luhet, por dini gjë se kush e organizon këtë aktivitet që ne t’i marrin dhe t’i nxjerrim nga errësira sot.

Nëse jemi në këtë pikë që jemi sot, po jua them unë se policë të korruptuar, gjyqtarë dhe prokurorë, ishin pjesë e lojërave të tilla, nga kazinotë dhe bastet. U bënë pjesë e atij procesi ilegal, atje poshtë në territor. Por kush po luan tani dhe kush po e bën tani?”, tha Braçe.

Vetë Braçe dhe më herët ka deklaruar që është për një model të rikthimit të lojërave të fatit, që të jetë në kontroll të plotë nga ana e shtetit.

Nga ana e tij Shyrti tha se shoqata që ai drejtonte është mbyllur që nga viti 2018, dhe se projektligjin që pritet të kalojë në Kuvend e cilësoi të nxituar dhe të parakohshëm për Shqipërinë.

Një tjetër pikë interesante e projektligjit për lojërat e fatit, është se kompanitë që duan të licensohen do të duhet që të kenë një bashkëpunim me kompani të huaja, që sipas Shytit nuk sjell asgjë të re në treg. Ish-kreu i shoqatës tha se ‘ekspertiza’ e huaj mund të qëndrojë vetëm 3 vite sa e parashikon ligji dhe më pas gjithçka mbetet në dorë të shqiptarëve. Sipas tij kompanive që kanë operuar në Shqipëri nuk iu ka munguar eksperienca.

“Pjesën që do të qëndrojë në të zezë nuk ke si e monitoron dot, nuk e jap unë dot përgjigjen se kush vepron sot në të zezë. Partneri i huaj që e detyron ligji, mund të përdoret si mburojë vetëm për 3 vite, dhe më pas gjithçka i lihet në dorë kompanive shqiptare”, tha më tej Shyrti. “Kompanitë në 2018 nuk janë mbyllur se nuk dinin ta bënin, por janë mbyllur për arsye të tjera”.

Sa i takon reklamave që ligji parashikon të shfaqen online gjatë orëve të vona të natës, Shyrti e konsideroi të drejtë, pasi kompanitë nuk kanë rrugë tjetër për të bërë me dije licensimin e tyre, sa kohë që janë zhdukur pikat fizike, që ishin përpara vitit 2018. 

Kritika në Komision dhe nga opozita- Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho tha se problemi i lojërave të fatit nuk është ligji, por përfshirja e politikës në mënyrë indirekte në kompanitë e basteve.

“Më pëlqeu fjala juaj zoti kryetar (ironizon Shalsin), por po luajmë një teatër të madh këtu. I vetmi element që lidh gjendjen këtu në Shqipëri me jashtë, është se edhe andej organizohen lojëra fati. Këdo të marrësh shembull, por andej ka shtet dhe shteti i kontrollon. Edhe andej ka rrjedhje, por këtu nuk i kontrollon, se është palo shtet. Nuk po diskutoj ‘koha juaj, koha jonë’. Ju i mbyllët dhe nuk jeni në gjendje që t’i kontrolloni. Po pranoni se keni falimentuar me kontrollin e lojërave të fatit. Ju mburreni dhe e thoni vetë atë të Enverit. Ai i linte 200 veta atje të luanin, se e dini vetë se si i bënte. Ligj kishim dhe para 2018-ës, nuk ka qenë aktivitet pa ligj.

Duke pasur ligj arritëm në konkluzionin se duhen mbyllur. Sporti është preteksti. Në kushtet e Shqipërisë është aktivitet kriminal. Kush thotë të kundërtën, gënjen, ose është pro mafias. Ky aktivitet është i kapur nga mafia. Politikanë shqiptarë merren me lojëra fati, një numër i konsiderueshëm i deputetëve kanë aktivitet të lojërave të fatit. Ju e dini se cili koleg ka lojëra fati. Ju duhet t’i ndaloni, por nuk ngriheni. Këtu është e bashkuar dhe policia. Me lojëra fati blihet policia, drejtorë policie. I ka nxjerrë media. Lexo se sa komisarë policie janë kapur duke u blerë nga pronarë të lojërave të fatit. Kapi ti se je në krye të qeverisë, unë ngre zërin.”, tha Spaho.

Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit. 31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve, më pas në vend në kuadër të operacionit "Fundi i Marrëzisë", gjithçka u ndalua. Edhe pse fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkën e shtetit. Por me ndalimin, kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n, ndërsa vitin e shkuar, u arkëtuan 12.8 milionë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB