
TIRANË- 4 muaj pas zgjedhjeve të 14 Majit, Komiteti i Helsinkit ka publikuar raportin për zgjedhjet lokale, ku janë evidentuar një sërë parregullsish, që nga nisja parakohe e fushatës elektorale, te ndarja e fondeve duke favorizuar partitë e mëdha, e deri te garimi në zgjedhje i kandidatëve me probleme me ligjin.
Në raportin e Helsinkit theksohet se nuk pati ndryshime në Kodin Zgjedhor, pavarësisht rekomandimeve të bëra nga OSBE-ODIHR, dhe ngritjes së një Komisioni Parlamentar, pikërisht për këtë çështje. Po ashtu shqetësim vijon që të mbetet votimi familjar, apo ndikimi i vëzhguesve brenda qendrave të votimit.
Nga monitorimi i zbatimit të publikimit në kohë të listave të zgjedhësve, rezultoi se në disa Bashki, përkatësisht Bashkia Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan kishte mungesa apo mospublikime të tërësishme të listave sipas afateve të caktuara. Gjithashtu, KShH vijoi të konsiderojë me shqetësim se listat fizike të zgjedhësve vijojnë të pozicionohen në vende të cilat krijojnë vështirësi në aksesin e votuesve.
Në raportin e Helsinkit thuhet gjithashtu se dokumentet dhe urdhërat e nxjerra nga KQZ janë publikuar me vonesa të konsiderueshme në faqen zyrtare të web-it, duke shkaktuar pengesa në shqyrtimin e mirëfilltë të tyre dhe reagimin e shpejtë të aktorëve monitorues.
Pavarësisht se në një numër më të shtuar në raport me zgjedhjet e kaluara, vendimmarrjet e KQZ për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore nuk ishin gjithmonë rezultat i një hetimi efektiv (brenda afateve), parashikuan sanksione simbolike e jo proporcionale, si dhe u vunë re qëndrime të ndryshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe KAS, duke sjellë në disa raste favorizimin e subjekteve zgjedhore apo institucioneve që ishin në kushtet e ndalimit.
Pavarësisht masave paraprake të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ për zbatimin e procesit të dekriminalizimit, gjatë periudhës zgjedhore Maj 2023 rezultoi se procesi i verifikimit të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit ende nuk kishte përfunduar. KShH, gjithashtu, konstaton me shqetësim se asnjë prej partive politike nuk ka ushtruar të drejtën për të kërkuar verifikim të thelluar për kandidatët e mundshëm të tyre, duke treguar mungesë interesi për rëndësinë që ka zbatimi efektik dhe në kohë i këtij ligji.
Në raport citohet se afatet e vendosura në nenin 77 të Kodit Zgjedhor mbi fushatën zgjedhore nuk janë respektuar duke krijuar kështu kushte për garë të pabarabartë midis subjekteve, në favor të atyre që disponojnë mjaftueshëm qëndrueshmëri financiare për të kryer këto aktivitete në një shtrirje më të gjatë kohore, krahasimisht me subjektet zgjedhorë më të vegjël.
KShH raportoi pranë KQZ-së rastin e intimidimit të qytetarëve të Bashkisë Elbasan të cilëve u është referuar se vota e tyre elektronike do të identifikohej nëpërmjet kryqëzimit të të dhënave midis pajisjeve PEI dhe PEVN. Në vijim të kërkesës së KShH, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Celibashi, deklaroi nëpërmjet një dalje mediatike pacënueshmërinë e procesit.
Mungesa e hetimeve të shpejta, transparente, të gjithëanshme, si dhe mungesa e ofrimit të një mbrojtje efektive ndaj kallëzuesve të krimeve zgjedhore, janë elementë të përsëritur edhe përgjatë këtyre zgjedhjeve, konstaton Helsinki.
Hetimet mbi krimin zgjedhor kanë vijuar të shtrihen vetëm në nivele të ulëta të organizimit politik. Të dhënat paraprake mbi hetimin e krimeve zgjedhore evidentojnë një praktikë të dy standartizuar hetimore nga prokuroritë, ndërkohë që informacioni që organet proceduese ndajnë me publikun është minimal.
Vëzhguesit e KShH konstatuan shkelje në masë të parashikimeve të heshtjes zgjedhore. Procesi i votimit, i zhvilluar më datë 14 Maj 2023, u monitorua nga vëzhguesit e KShH në 200 Qendra Votimi, të ngritura në 15 prej Bashkive të Republikës së Shqipërisë. Në një pjesë të konsiderueshme të QV-ve të vëzhguara nga KShH, procesi i votimit filloi me vonesë si rrjedhojë e keqfunksionimit të Pajisjeve Elektronike të Identifikimit (PEI) apo mungesës së njohurive dhe koordinimit midis anëtarëve të KQV-ve.
Nga 20 Qendrat e Votimit të monitoruara pranë Bashkisë Elbasan dhe Bashkisë Kamëz ku u zbatua procesi i votimit dhe numërimit elektronik, problematika kryesore ishte paqartësia e votuesve për mënyrën e përdorimit të PEVN-së. Ky ishte një shqetësim i ngritur dhe nga vetë përfaqësuesit e partive politike.
REKOMANDIMET E KShH-së:
1.KShH ripërsërit rekomandimin e tij prej zgjedhjeve të kaluara se reforma e mëtejshme zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e viteve të fundit. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të jenë monopol i partive politike dhe as të realizohen në periudha të afërta zgjedhore, por të marrin në konsideratë standartet dhe praktikat e mira ndërkombëtare. KShH rekomandon shmagien e konsultimeve formale në reformimin e ardhshëm zgjedhor përkundrejt nevojës për realizimin e dëgjesave efektive me ekspertët, si dhe organizatat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
2. Zgjedhjet e 14 Majit vërtetuan edhe një herë se antarët e Komisioneve Zgjedhore lokale, në mjaft raste, profesionalisht nuk ishin në nivelin e duhur. Në punën e tyre u vërejt edhe njëanshmëria partiake, prandaj qëndron nevoja imediate për të marrë në shqyrtim Rekomandimin prioritar e të hershëm të OSBE/ODIHR-it, po dhe KQZ-së, për depolitizimin total të tyre.
3. Në pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik u vërejtën defekte të rëndësishme edhe pse KQZ-ja ka deklaruar se ato nuk patën pasoja. E njëjta gjë është vërtetuar edhe në zgjedhjet e mëparshme. Ndërkohë që numërimi elektronik evidentoi avantazhet e shpejtësisë dhe efikasitetit të tij në raport me numërimin manual, i cili (ky i fundit) u realizua krahasimisht më shpejt në raport me vitet e kaluara. Për problematikat e shfaqura, KShH sugjeron që ky problem të analizohet nga specialistë me përvojë dhe të paanshëm edhe për faktin e shpenzimeve të konsiderueshme. KShH i sugjeron KQZ-së të vendosë në lëvizje mekanizmat e brendshëm apo të jashtëm (me anë të organeve të drejtësisë) të hetimit të përgjegjësive lidhur me këto defekte.
4. Nga një proces zgjedhor në tjetrin vërtetohet e njëjta shkelje: zgjedhësit nuk njoftohen në banesat e tyre për shkak të mungesës së fondit që duhet të akordohet nga Ministria e Brendshme. KQZ-ja, megjithëse në dijeni për këtë, nuk ka ndërhyrë në mënyrë të efektshme për të parandaluar këtë shkelje ligjore. Duke patur parasysh se koha në dispozicion për këtë njoftim është mjaft e shkurtër, KShH sugjeron: a) Fondi të jepet fill pas hartimit dhe publikimit të listave të zgjedhësve dhe b) Njoftimi në banesa të vazhdojë dhe pas publikimit të listave përfundimtare zgjedhore 86 Referuar komunikimeve që ka kryer Drejtoria e IEVP Rrogozhinë me Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë si dhe Komunikimi që ka patur Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Burjgeve me KQZ-në. Burim informacioni: shkresa kthim përgjigje e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve drejtuar KShH-së me nr.prot 9912/1, dt.08.08.2023. 87 Referuar shkresës kthim përgjigje të Bashkisë Rrogozhinë, drejtuar KShH-së, në dt. 08.08.2023, me nr.prot 2647/1 - 28 –
5. KShH rekomandon rishikimin e ligjit nr. 8580, dt. 17.02.2002, konkretisht në nenin 19/2, i cili parashikon shpërndarjen e ndihmës financiare për partitë politike, duke vendosur që partitë plotësuese të njërit prej kritereve të përcaktuara në ligj, të mos mundet që të jenë gjithashtu përfituese nën kriteret e tjera. Kështu KShH rekomandon që kjo dispozitë të parashikojë kritere të qarta dhe objektive që mundësojnë një shpërndarje më të drejtë e proporcionale të fondeve publike midis partive politike.
6. KShH vëren se formulimi i nenit 91 të Kodit Zgjedhor është i diskutueshëm pasi lehtëson pozitat e partive politike që fillojnë më herët fushatën zgjedhore. Kjo për arsye se përmbajtja e kësaj dispozite (pika 2 dhe 3 e nenit 91) sanksionon ndalimin e përdorimit të burimeve publike gjatë fushatës zgjedhore (e cila edhe pse ligjërisht fillon një muaj para zgjedhjeve, de facto fillon më herët). Kjo është arsyeja se përse ndalimi i përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale, vlerësojmë se duhet të rishikohet në parashikimet e Kodit Zgjedhor duke e shtrirë këtë ndalim që prej datës së dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe mos e kufizuar atë në raport me faktin nëse një parti politike është regjistruar apo jo si subjekt zgjedhor.
7. Televizionet, sipas parashikimit të Nenit 80 pika 1 mbi radiotelevizionin publik dhe Nenit 84 për radiot dhe televizionet private, të Kodit Zgjedhor, i kanë kushtuar një fraksion kohor minimal subjekteve zgjedhore të cilat janë parti joparlamentare apo kandidatë të propozuar nga zgjedhësit. Këto dispozita vlen të rishikohen, me qëllim që të garantojnë raportim mediatik plurarist dhe gjithëpërfshirës për subjektet garuese.
8. Kryesisht në edicionet informative, KShH vijon të konstatojë me shqetësim se materialet audio-vizuale të regjistruara nga partitë politike apo kandidatët përbëjnë pjesën dërrmuese të materialeve të shfaqura në televizion, në përputhje me Nenin 84/1 të Kodit Zgjedhor, i cili legjitimon transmetimin e tyre. KShH rekomandon rishikimin e këtij neni në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, me qëllim që t’i jepet fund kësaj praktike që cënon lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar me paanshmëri.
9. Afati për verifikimin e integritetit të kandidatëve është relativisht i shkurtër, gjë që pamundëson Prokurorinë e Përgjithshme të bëjë verifikimet përkatëse. Prandaj sugjerojmë që me ligj subjektet zgjedhore të detyrohen që emrat e kandidatëve potencialë t’ju dërgohen për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme një muaj përpara se ato t’i paraqiten KQZ-së.
10. KShH i rekomandon KQZ-së që të realizojë hetime administrative të shpejta, efikase dhe objektive të rasteve apo sinjalizimeve të lidhura me shpërdorimin e aseteve publike, si dhe të aplikojë sanksione proporcionale dhe të drejta që i shërbejnë parandalimit të përgjithshëm dhe të posaçëm, duke treguar rigorozitet në zbatimin e ligjit dhe sanksionimin e shkelësve konform nenit 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor, si dhe akteve rregullatore të saj.
11. Në Kodin Zgjedhor bëhet fjalë për fushatën e ligjshme një mujore. Subjektet zgjedhore në fakt e fillojnë fushatën shumë kohë para fushatës së ligjshme. Kjo përqëndrohet në Kryetarët e Partive. Një praktikë e tillë jo vetëm shoqërohet me shpenzime të shumta që ja kalojnë fushatës së ligjshme, por krijojnë pabarazi të theksuar për partitë më të vogla. KShH sugjeron që KQZ-së në raste të tilla t’i jepet kompetencë jo vetëm të ndërhyjë, por kur është e nevojshme të zbatojë dhe sanksione.
12. Edhe në Zgjedhjet e 14 Majit 2023 vazhdon fenomeni i shëmtuar dhe i dënueshëm i shitblerjes së votës, si dhe kryerja e veprave të tjera penale, gjithaq serioze, në fushën e zgjedhjeve. KShH sugjeron: a) që t’i jepet përparësi hetimit të plotë, të gjithëanshëm dhe objektiv (e jo selektiv) të çështjeve të tilla si rrjedhojë e ndikimit të tyre të drejtpërdrejtë në besimin e elektoratit në proceset demokratike; b) të bëhen analiza lidhur me rrethanat dhe kushtet e kryerjes së veprave të tilla dhe të publikohen ato që do të kishin efekt parandalues.
13. Kolegji Zgjedhor Gjyqësor vendosi përsëritjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Rrogozhinë, duke argumentuar njëkohësisht për mosngritjen e QV-së pranë IEVP Rrogozhinë, duke u mbështetur në - 29 - parashikimet e Kodit Civil dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. KShH sugjeron marrjen e masave për të siguruar ushtrimin e të drejtës së votës për secilin të burgosur për njësinë e pushtetit vendor, të kushtëzuar në vendbanimin e përhershëm të të burgosurit (Bashkinë përkatëse), duke mos i privuar kështu ata nga ushtrimi i kësaj të drejte themelore./ZËRI