
TIRANË- Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike janë mbledhur sërish në Kukës, duke shënuar herën e tretë të takimeve maratonë që kanë nisur brenda kampit blu. Takimi ka nisur mesditën e sotme për të përfunduar 2 orë më parë me disa përfundime të rëndësishme; bashkim për zgjedhjet, Reformën Zgjedhore dhe Avokatin e Popullit. Në takimin e sotëm, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, morën pjesë 30 deputetë, ndërsa online morën pjesë: Jorida Tabaku; Dash Shehi; Agron Shehaj; Helidon Bushati; Ina Zhupa; Luan Baçi; Zheni Gjergji; Vangjel Dule dhe Agron Gjekmarkaj.
Por edhe kësaj here mbledhja u zhvillua pa praninë e deputetëve që janë listuar krahas Lulzim Bashës.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha konfirmoi mbështetjen e demokratëve për Emri Vatën, kandidat për Bashkinë e Kukësit.
"U shpreh solidariteti i plotë me Emri Vatën, i cili garon në Bashkinë e Kukësit pas një demaskimi moral dhe të gjithanshëm të përfaqësuesit të Edi Ramës, i cili ishte një copy-paste i Edi Ramës. Emri Vata ka besimin e plotë të të gjithë deputetëve të PD, besim se ai votën do e kthejë në shërbime transparente dhe përkushtim për qytetarët e Kukësit. shtë rasti t’u bëj thirrje të gjithë kuksianëve, kudo që ndodhen, por që kanë qendrën e votimit në Kukës, të vijnë ditën e diel dhe me votën e tyre të firmosin fillimin apo agun e një ndryshimi të madh që e pret Shqipërinë. Në mbledhje u diskutua gjerësisht mbi axhendën parlamentare, u morën vendime të cilat zoti Bardhi do ua komunikojë. Unë them se ishte një mbledhje shumë e frytshme,"-tha Berisha në fjalën e tij. Ndërkohë që mbështetjen për Vatën e konfirmoi edhe Bardhi, i cili shtoi se së shpejti do të ketë edhe një propozim për ngritjen e një Komisioni për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, demokratët do të përfaqësohen nga bashkëkryetari i Komisionit Oerd Bylykbashi, i cili do të ketë me vete edhe kolegët: Dhurata Çupi; Dash Sula, Ervin Salianji, Tomor Alizoti, Lindita Metaliaj, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu dhe Petrit Vasili.
Postin e nënkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore e ka mbajtur më parë Enkelejd Alibeaj. Nesër në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pritet të vendoset nëse Kuvendi do të pranojë listën e dorëzuar nga Gazment Bardhi si kryetar i grupit apo do të njohë Flutura Açkën si kryetare grupi, post që ia delegoi Lulzim Basha pas zgjedhjes së tij në krye të Partisë Demokratike zyrtare.
"T’i jepet fund modelit që të gjithë qytetarët e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë panë që ofronte PS për Bashkinë e Kukësit. Jemi ndalur në axhendën parlamentare, ku në fokus ka qenë reforma zgjedhore. Sot grupi parlamentar i PD-së ka autorizuar kryetarin e grupit që të propozojë projekt-vendimin për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore dhe përbërjen e këtij komisioni, ku bashkëkryetar në emër të PD-së është caktuar Oerd Bylykbashi, ndërsa anëtarët e këtij komisioni propozohen deputetët Dhurata Çupi, Dash Sula, Ervin Salianji, Tomor Alizoti, Lindita Metaliaj, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mejdiu dhe Petrit Vasili. Kjo është përbërja dhe përfaqësuesit në komisionin e reformës zgjedhore, i cili do të duhet të rikonceptohet edhe për shkak të 2 arsyeve madhore. Së pari, sepse del raporti për zgjedhjet vendore dhe pjesë e punës duhet të jenë dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe se komisioni do të duhet të asistohet nga ekspertët e OSBE-ODIHR dhe bashkëkryetarët do të duhet të ngarkohen nga Kuvendi që t’i drejtohen bashkarisht me kërkesë për asistencë OSBE-ODIHR për punën e tyre në komisionin e reformës zgjedhore,"-tha Bardhi në fjalën e tij.
Bardhi po ashtu e la derën e hapur dhe për kolegët e tij demokratë që janë rreshtuar në krahë të Lulzim Bashës. Sipas tij në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore janë të ftuar dhe deputetët |pro Bashës"
“Emrat që ka miratuar grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi ka mbledhur propozimet në mbledhje. Nëse kam apeluar në mënyrë të vijueshme që secili koleg do të duhet të reflektojë për t’u bashkuar, për të unifikuar agjendën parlamentare, një nga çështjet është edhe kjo. Askujt nuk mund t’i caktohet një detyrë nga grupi parlamentar nëse nuk shpreh përpara grupit marrjen përsipër të kësaj përgjegjësie,” – u shpreh Bardhi.
E po ashtu, komentoi edhe në kërkesën për dialog për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pas shkesës që i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë për negociata me maxhorancën.
"Ajo që kam kërkuar unë për Avokatin e Popullit merr shkas nga një shqetësim që ka ardhur nga përfaqësues të SHBA dhe BE, të cilët kanë kërkuar në dijeninë time edhe nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, që të çojnë para procesin e zgjedhjes se avokatin e popullit. Avokati ka disa detyra te rëndësishme në kuadër të zbatimit te reformës në drejtësi, dhe për këtë arsye përfaqësuesit e SHBA dhe BE, kanë shprehur shqetësimin. Në kuadër të këtij shqetësimi kam vënë në lëvizje këtë proces. Jam përgjigjur një shqetësimi që na ka ardhur nga aleatët strategjik. Kam propozuar që ky proces të mos jetë një 17 maj tjetër, ku avokati zgjidhet duket ngrënë pica në një zyrë të Kuvendit, por një proces transparent. Nuk kam kërkuar të ulëm me Çuçin, por nga Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e saj si kreu i Parlamentit të ndërtoj një proces transparent mes palëve. Procese zgjedhore të institucioneve kushtetuese duke ngrënë pica e dukë pirë cigare me Edi Ramën janë të pa papranueshëm për grupin parlamentar të opozitës,"-shtoi Bardhi ndër të tjera.
Me të njëjtën gjuhë të ashpër për kolegët ka folur edhe Ervin Salianji, i cili gjatë mbledhjes ka kërkuar që cilido deputet nga opozita, të përjashtohet nëse voton pro për ndonjë nga projektligjet që do të prezantojë në Kuvend shumica socialiste. Votë që deri më tani e ka hedhur i ashtuquajturi "grupi Basha".
“Të kemi qëndrim të qartë për reformën zgjedhore, ka vite që jam shprehur për lista të hapura, por duhet të qartësojmë “pazarin” për lista me primaret. Kushdo që voton pro qeverisë dhe bashkohet me ta në kundërshtim me vullnetin e shumicës së grupit parlamentar të PDSH duhet të përjashtohet nga grupi. Formacionet ndihmës-qeveritare nuk mund të kamuflohen si deputetë opozitarë,”-mësohet se ka deklaruar Salianji gjatë mbledhjes.
Takimi i parë u bë në Tiranë, ku shumica dërrmuese e deputetëve demokratë u bënë bashkë, për të unifikuar siç u deklarua, qëndrimet e tyre në parlament kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Në takim, pas gati dy vjetësh konflikti të hapur, u ulën rreth së njëjtës tavolinë deputetët që përkrahin Gazmend Bardhin dhe ata që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, por sërish, në publik të paktën, duke se mes tyre nuk ka një akord. Bardhi sërish shprehet se as Berisha dhe as Basha nuk janë kryetarë të PD, ndërsa lideri historik i Partisë Demokratike e njeh si kreun e grupit parlamentar. Për të spostoi edhe Flamur Nokën në vendin e sekretarit të Përgjithshëm./Zëri.ai