Politikë

Ahmetaj ankimon në Kushtetuese kontrollin e banesës

Arben Ahmetaj ka renditur 4 pika, duke shpjeguar se përse e konsideron kontrollin në banesën e tij si të jashtëligjshëm.

D.XH
Ahmetaj ankimon në Kushtetuese kontrollin e banesës
Arben Ahmetaj

TIRANË- Ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese kontrollin e banesës së bashkëjetueses së tij në Hamallaj. Nga Kushtetuesja, Ahmetaj nga arratia ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Apel. E po ashtu, ish-zyrtari i lartë në këtë ankimim, ka renditur 4 pika, duke shpjeguar se përse e konsideron kontrollin në banesën e tij si të jashtëligjshëm.

Nga arratia, Ahmetaj pretendon se kontrollet janë antikushtetuese dhe nuk janë të pajtueshme me ligjin, sepse nuk ka një autorizim nga ana e parlamentit. Ndaj dhe sipas tij, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka tagrin që të autorizojë kontrollin e banesës së deputetit.

"Pakushtetutshmëria dhe paligjshmëria e kërkesës dhe e vendimit për lejimin e kontrollit, pa autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që në atë banesë bashkëjetonte me zj.Hoxha i hetuari z.Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë; pra, vendimi ka cenuar vullnetin e sovranit, të mishëruar në ligjin themeltar të Republikës (neni 73, par.2) dhe normën e KPP (neni 288.1). Vendimi nr. 114 akti, datë 08.03.2023 që lejoi kontrollin e banesës në pronësi të znj. Hoxha, ku ajo bashkëjeton me z. Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, është një akt i marrë në tejkalim të kompetencës funksionale të gjykatës 'ratione personae', pasi Gjykata e Posaçme nuk ka tagra që të autorizojë kontrollin e banesës së deputetit; kjo e drejtë i përket Kuvendit. Në këtë këndvështrim, në kryerjen e këtij akti, ajo nuk i përmbushte kushtet e një “gjykate të krijuar me ligj,"-shkruhet në kërkesën e bërë nga avokatët mbrojtës. E po ashtu, shtojnë se shoqërimi me detyrim i bashkëjetueses së Ahmetaj, Erjona Hoxha cënoi të drejtën e saj për t’i garantuar dinjitetin njerëzor dhe privatësinë e komunikimeve.

Që prej fillim korrikut, Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ahmetaj hetohet veçmas biznesmenëve të përfshirë në çështjen e inceneratorëve, dosje e ndarë veçmas dhe për të cilën janë shpallur disa urdhër arreste.

Vetë Ahmetaj pretendon se nuk ka lidhje, por kërkon nga SPAK që të hetojë lidhur me sigurimin e fondeve, duke dhënë kështu detaje lidhur me ku duhet që të fokusohen hetimet. Aktualisht raportohet që të jetë jashtë territorit të Shqipëri, madje më konkretisht avokatët e tij pretendojnë se është në Britaninë e Madhe./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB