Politikë

GJKKO rrëzon sërish Fredi Belerin, Apeli e lë në burg

Beleri kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, teksa në Gjykatën e Posaçme ka mbërritur dhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.

D.XH
GJKKO rrëzon sërish Fredi Belerin, Apeli e lë në burg
Fredi Beleri lihet ne burg

TIRANË- U mbajt sot seanca gjyqësore në Apelin e Posaçëm për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i arrestuar për shitblerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Beleri kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, teksa në Gjykatën e Posaçme shkoi edhe vetë ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e GJKKO-së e la sërish në burg Fredi Belerin, duke i vijuar atij telashet në raport me ligjin. Më 14 shtator Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Në seancën paraprake prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audio-përgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i Belerit, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme. Por gjykata e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.

Avokati i Belerit ka thënë se nuk ka kuptim që klienti i tij të vazhdojë të qëndrojë akoma në qeli, aq më tepër që tani hetimet janë mbyllur. “Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të thërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi ai. Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë edhe ambasadorja greke Kamitsi dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik.  Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare.

Ndërsa qeveria shqiptare pretendon se çështja nuk është politike, por është e gjitha e drejtësisë. Kryeministri i vendit Edi Rama ka deklaruar se ishte sistemi gjyqësor ai që u mor me Belerin e jo maxhoranca, ndërsa shtoi se Shqipëria respekton të drejtat e minoritetit./Zëri

Poll

MOS HUMB