Politikë

Beleri në burg, Mitsotakis dhe Rama nuk e ndalin përplasjen (Deklaratat)

Mitsotakis insistoi që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës duhet të ishte lejuar që të bënte betimin, qoftë edhe nga ambientet e burgut ku ndodhet, në pritje të dënimit nga drejtësia shqiptare.

E.K
Beleri në burg, Mitsotakis dhe Rama nuk e ndalin përplasjen
Mitsotakis dhe Rama, ne nje prej takimeve te tyre

GREQI- Arrestimi i Fredi Belerit në 12 Maj, dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve që e shpallën fitues në Bashkinë e Himarës vazhdon që të sjellë një furtunë reagimesh në politikën e lartë në të dy anët e kufirit. Nga njëra anë është Greqia që kërkon me ngulm betimin e Belerit dhe nga ana tjetër qeveria shqiptare pretendon se kjo është një çështje tërësisht në dorë të drejtësisë, dhe politika do të duhet që të qëndrojë larg. Gjatë ditës së djeshme në konferencën tradicionale që dha për mediat, pas Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është pyetur edhe për çështjen Beleri.

Mitsotakis insistoi që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës duhet të ishte lejuar që të bënte betimin, qoftë edhe nga ambientet e burgut ku ndodhet, në pritje të dënimit nga drejtësia shqiptare.

“Heqja e mundësisë së Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie, edhe me statusin e personit të paraburgosur, përbën shkelje të rregullave të shtetit ligjor”, është shprehur Mitsotakis.

“Jam pozicionuar vazhdimisht për këtë çështje, e cila fatkeqësisht hedh një hije mbi marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys në një masë të madhe progresin e rëndësishëm që kemi bërë në katër vitet e mëparshme. Më duhet t’ju them se më shqetëson veçanërisht fakti jo vetëm i burgosjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, por mbi të gjitha fakti që edhe sot Shqipëria refuzon të bëjë të vetëkuptueshmen, për t’i dhënë atij mundësinë edhe nga burgu për t’u betuar si kryetar bashkie. Është një mesazh që unë ia kam përcjellë në çdo mënyrë udhëheqjes së Shqipërisë.

Kjo që po them i referohet një vendimi administrativ, unë nuk ndërhyj në gjykimin e drejtësisë shqiptare, do të ishte shumë e vështirë dhe e pahijshme nga ana ime ta bëja këtë, por heqja e mundësisë së Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie, edhe me statusin e personit të paraburgosur, përbën sipas mendimit tonë, shkelje të qartë të rregullave të shtetit ligjor, krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe mendoj se do të ketë pasoja më të gjera nëse kjo politikë vazhdon gjatë përpjekjeve të Shqipërisë për t’iu afruar familjes evropiane.

I kam ngulitur thellë kujtimet dhe përvojat nga vizita ime në Himarë në fund të vitit të kaluar. Besoj se minoriteti kombëtar grek, i njohur si pakicë kombëtare, duhet të ndjejë se tek Greqia ka një aleat për të vetëkuptueshmen, që është mbrojtja e të drejtave të saj. Dhe flasim për të drejtat e pronësisë, flasim dhe për të drejta të barabarta për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Shqipërisë. Uroj dhe shpresoj që kësaj çështje t’i jepet një zgjidhje sa më shpejt. Në çdo rast, nuk do të ndalem së ngrituri këtë çështje në nivel europian apo edhe drejtpërdrejt me kryeministrin Rama herën tjetër që do ta takoj”, ka deklaruar më tej kryeminstri grek, të cilit i ka kthyer një përgjigje indirekte dhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka postuar foto nga sheshi qendror i Derviçanit,-  ku jetojnë pjesëtarë të pakicës greke - i cili do të mbajë emrin e të atit të kryeministrit grek, i pari që vizitoi Shqipërinë pas rënies së komunizmit.

“Kantieri i Rilindjes Urbane në zemër të Derviçanit, qendrës së bashkisë së Dropullit, e cila do të mbajë emrin e Konstandinos Mitsotakis, kryeministrit të parë grek që vizitoi minoritetin pas rënies së komunizmit”, shkroi Rama.

Pavarësisht ping-pongeve të politikës, çështja Beleri është dërguar tashmë për gjykim, dhe pritet të jepet një vendim nga Gjykata e Posaçme. I zgjedhuri i Himarës akuzohet për shitblejeve votash, akuza të cilat i ka mohuar vazhdimisht. Beleri fitoi me një diferencë prej 21 votash në raport me kundërshtrarin socialist Jorgo Goro, ndërsa arrestimi i tij ka lënë Himarën pa kryetar të ligjshëm, me KQZ që nuk ka një datë të re për zgjedhjet, edhe pse ka kaluar afati 3 mujor për betimin e fituesit të 14 Majit./Zëri 

 

Poll

MOS HUMB