Politikë

‘Bastet’ rikthehen në Kuvend/ Hiqet tatimi i lojtarëve, lejohen reklamat, Braçe: T’i menaxhojë shteti!

Po ashtu, një tjetër e re në projektligj është se tashmë do të lejohet edhe publiciteti.

k.m.
‘Bastet’ rikthehen në Kuvend/ Hiqet tatimi i lojtarëve,
Edi Rama

TIRANË- Projektligji i qeverisë për rikthimin e lojrave të fatit është rikthyer për shqyrtim në Komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, por mbledhjet nuk kanë kaluar pa debate. Por edhe me ndryshime. Projektligji është prezantuar nga zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, e cila ka listuar para deputetëve ndryshimet që janë bërë në projektligj. Tashmë, sipas qeverisë, lojtarëve ishte parashikuar që t'u mbahej taksë 15% nga fitimi, por tashmë kjo klazolë ligjore është zeruar.

Barra do të bjerë sërish tek organizatorët; ata të lojërave online do të taksohen 15% të fitimit; ndërsa për kazinotë, shumë do të shkojë 25%. Por, krahas detyrimit ligjor, ato do të paguajnë dhe 15% të qarkullimit në fondin e posaçëm, dedikuar projekteve në sport dhe arsim. 

Pikat që hapen nën autorizimin e kompanisë së licensuar, do të quhen ‘agjentë financiarë’ që do të kryjenë transaksionet për lojtarin. Ata hapin llogaritë për lojtarët që më pas mbushet nga ato sipas vlerës që do të luhet me numër ID. Po ashtu, një tjetër e re në projektligj është se tashmë do të lejohet edhe publiciteti. Ndryshe nga disa vite më parë, kur të gjitha hapësirat mediatike që reklamonin lojra fati, gjobiteshin nga qeveria, tashmë gjithçka do të jetë e lejuar. Vetëm se reklamimi është me orar, nga ora 22.00 e mbrëmjes deri në 08.00 të mëngjesit. Po ashtu, lejohet që kompanitë të sponsorizojnë edhe skuadra futbolli.

“Tarifa e licensimit nga 1 miliardë është propozuar të bëhet 500 milionë. Përzgjedhja e subjekteve që do të konkurrojnë për lotarinë kombëtare do të bëhet nga Komisioni i Licensimit në përputhje me kriteret e vlerësimit. Në projektligj, është rishikuar edhe neni që ka të bëjë me detyrimet tatimore dhe pagesat e tjera. Duke filluar që nga organizatorët e basteve sportive, do të tatohen në masën 15 përqind të të ardhurave bruto nga loja dhe tatimi do të derdhet për llogari të fondit të posaçëm. Organizatorët e kategorive kazino në hotele me pesë yje do të tatohen në masën 25 përqind të të ardhurave bruto nga loja, pra jemi larguar nga koncepti i vëllimit të qarkullimit që ka qenë 12 përqind. Organizatorët e autorizuar për zhvillimin ndaj turneve të lojërave kanë detyrimin që të paguajnë 25 përqind të të ardhurave bruto nga loja për cdo turne të organizuar brenda datës 10 të muajit pasardhës. Organizatorët e kategorisë baste sportive online, bingo televizive dhe lotaria kombëtare, krahas detyrimit tatimor të parashikuar në ligjin aktual, do të duhet të derdhin dhe për llogari të fondit të posacëm 15 përqind të shumës së deklaruar për publicitetin. Tatimi në burim i mbajtur për lojtarët do të mbetet në masën 0 përqind për ata që do të luajnë baste sportive online. Krahas detyrimeve tatimore, organizatorët e lojërave të fatit do të duhet të derdhin brenda datës 31 mars në llogari të fondit të posacëm shumën 2.5 përqind të të ardhurave bruto nga loja dhe bëhet fjalë për kategoritë kazino, kazino me pesë yje dhe resort kazino dhe shumën 10 përqind për organizatorët e kategorisë lotaria kombëtare dhe 1.5 përqind për kategoritë bingo televizive,”- theksoi Vjero.

Pas prezantimit të Vjeros, deputetët ngritën pyetjet e tyre, një prej tyre edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku,e cila në fjalën e saj, pyeti në Komision se për kë po e bë qeveria këtë prapa kthehu. 

“Komisioni i Ekonomisë vite më parë pati debat të gjatë në lidhje me ligjin për lojërat e fatit, ligj për të cilin unë sot e kësaj dite jam në proces gjyqësor me Kryeministrin e vendit. Braçe atëherë, shumë aktiv në diskutimet e tij, tha që këto nuk do të riktheheshin më në asnjë formë dhe që do mbyllej përfundimisht epoka e marrëdhënies së shqiptarëve me lojërat e fatit. Përdorën terma nga “barkderrët e alkoolizuar” që hanë të ardhurat e familjeve shqiptare deri tek termat që lidhen me të ardhurat ekonomike do i vinin shtesë buxhetit të shtetit. Pasi qeveria shqiptare e mbylli marrëzinë e fundit, akuza konkrete që ne diskutuam në Komision ishte që po mbyllen lojërat e fatit dhe po mbyllen të gjithë operatorët e vegjël, 4600, për t’i përqendruar këto në pak duar. Në 2013 ishin 800 kompani që ofronin lojëra fati, në 2015 kur ne diskutuam ligjin ishin mbi 4300. Pra pati një shpërthim të kompanive që ofronin lojërat e fatit. Ndërkohë që sot ndodhemi në faktin ku ligji për lojërat e fatit është 1 nga 12 ligjet që ky parlament akuzohet që e ka miratuar në mbështetje të interesave të grupeve të lojërave të fatit. Është një nga ligjet që thuhet që është kapje shteti, e cilëson parlamentin dhe ata që kanë votuar këtë ligj si të kapur nga bizneset e lojërave të fatit. Përpara seancës, në 2016, në kërkesë të dy kolegëve socialist, ku njërin sot e kemi dhe ambasador, u bënë propozime në interes të kompanive të lojërave të fatit. Këto 2 kërkesa e ndryshuan thelbin e ligjit. Sot qeveria shqiptare kthen ligjin, ku fjalia kyç është “rikthimi i kategorisë së basteve sportive”, që do të thotë pranohet dështimi me ligjin e lojërave të fatit dhe pranohet që në 6 vite kanë operuar bastet sportive, paska dhe një shoqatë bastesh sportive kur ndërkohë nuk lejoheshin. Si mund të ekzistojë një shoqatë për një aktivitet që nuk lejohet? Mbyllja nga ana e qeverisë çoi në përqendrimin te pak kompani të mëdha, që ju i keni konsultuar për ligjin; çoi në informalitetin e lartë në lojërat e fatit dhe në eliminimin e gjithë këtyre pikave dhe operatorëve të vegjël për të përqendruar në këto duar që ju keni konsultuar për këtë ligj,”- deklaroi Tabaku.

Ndërkohë që deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kërkoi që e gjithë 'industria' duhet të kontrollohet nga shteti. 

“Jam për modelin që duhet ta ketë shteti. Sepse edhe kështu do të jetë një luftë mes atyre ilegalë dhe legalë. Sa kohë që ilegaliteti do të vazhdojë duhet të rrijë shteti përballë, jo në mes. Nëse ky aktivitet nuk mbyllet dot - dhe është provuar se nuk mbyllet dot askund, dhe këtë jua kam thënë edhe para 5 vitesh - ta ketë shteti. Shteti ti rrijë përballë çdo lloj strukture që do të jetë ilegale dhe që sipas këtij modeli do të legalizohet,"- tha Braçe.

Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit. 31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve, më pas në vend në kuadër të operacionit "Fundi i Marrëzisë", gjithçka u ndalua. Edhe pse fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkën e shtetit. Por me ndalimin, kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n, ndërsa vitin e shkuar, u arkëtuan 12.8 milionë.

Poll

MOS HUMB