
TIRANË- Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se gjithçka është gati për të zhvilluar zgjedhjet e të dielës në Kukës. Në një konferencë me mediat, Celibashi bëri me dije se zgjedhjet e pjesshme lokale në Kukës do të kushtojnë plot 25.5 milionë lekë të reja. Por sipas komisionerit, paratë që do të përdoren, janë fondet e mbetura pa përdorur nga zgjedhjet e 14 majit, ndërsa thekson se në këtë mënyrë nuk do të rëndojnë në buxhetin e shtetit.
“Këto zgjedhje do t’i kushtojmë buxhetit 25.457.496 lekë, të cilat në fakt nuk janë para të kërkuara, por në një menaxhim dhe riorganizim të buxhetit të KQZ, pamë që nuk kishte e nevojshme për të kërkuar buxhet shtesë. Ka kursime që e mundësojnë organizmin e këtyre zgjedhjeve,"-bëri me dije gjatë konferencës së tij për shtyp.
Sipas Celibashit, në Bashkinë e Kukësit janë ngritur gjithsej 74 qendra votimi dhe një prej tyre do të jenë në institucionin e paraburgimit. I pyetur nga gazetarët se përse janë miratuar vetëm 9 propozime nga PD për komisionerët në qendrat e votimit, ai tha se 11 të tjerat janë me mungesë dokumentacioni.
“11 propozimet e tjera janë me mangësi në dokumentacion. Jemi në këtë proces i cili objektivisht lindi si problematikë për shkak të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që i dha të drejtën PD që të ketë një komisioner më shumë në të gjitha qendrat e votimit, dhe ndoshta dhe ata kanë qenë të papërgatitur për të plotësuar dokumentacionin. nëse nuk e përmbushin këtë deri në ditën e zgjedhjeve, do bëhen zëvendësimet përkatëse. Por besoj se janë duke bërë plotësimin,”- tha Celibashi.
Në Kukës do të votojnë mbi 45 mijë votues, ndërsa i pyetur për mundësinë për votim elektronik, Celibashi tha se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të përgatitur procesin.
“Koha nuk ishte shumë e përshtatshme, për ta përgatitur këtë proces. Edhe nga pikëpamja e logjikës së marrjes së këtij vendimi, mendoj se kemi eksperimentuar mjaftueshëm me votimin elektronik dhe zgjerimi me një zonë tjetër, në këtë moment nuk do të kishte shumë sens. Nuk do të siguronte ndonjë avantazh, do përpiqeshim t’i edukonim votuesit e Kukësit me një mënyrë që ndoshta ata në të ardhmen nuk mund ta aplikojnë më."
Në fund foli edhe për Reformën zgjedhore dhe votën e Diasporës.
"Janë pjekur të gjitha kushtet, që Shqipëria të ketë më në fund një reformë zgjedhore serioze. Duhet të dëgjohet zëri qoftë i KQZ, por edhe i aktorëve të tjerë jashtë politikës, Në duhet të ndryshojmë mënyrën se si e administrojmë procesin. Ne duhet të heqim dorë nga administrimi politik në qendrat e votimit dhe në KZAZ. Ka ardhur koha, prej kohësh, që partitë politike nuk do duhet të jenë të vetme, por do duhet që ato të mos kenë të gjithë të drejtën për të administruar procesin zgjedhor në nivele të dyta dhe të treta. Vota e diasportës është një detyrim që i mbetet Kuvendit, është detyrim kushtetues që brenda dhjetorit të këtij viti do dihet t’i japë zgjidhjen çështjes së votimit nga jashtë. Do duhet të vendosë në të drejtën e vet. Duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikundër edhe vendimet e gjykatës që ka shfuqizuar disa paragrafe të Kodit Zgjedhor, që lidhen me llogaritjen e mandateve dhe votën preferenciale,"-e mbylli fjalën e tij komisioneri.
Zgjedhjet lokale në Kukës, të dytat për këtë vit, do të mbahen më 24 shtator, ku përballë do të jenë Albert Halilaj, i cili do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste dhe Emri Vata, kandidat i "Bashkë fitojmë". Votimet do të mbahen pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili la postin pas një videoje intime, e cila ishte xhiruar në zyrën e tij. Fillimisht u raportua si skandal seksual, por në video të tjera të nxjerra nga gazetari investigativ, Artan Hoxha, Gjici dhe "e ashtuquajtura" Alma K., pas aktit, diskutonin për dhënien e një tenderi për rehabilitimin e qenëve endacakë./Zëri.ai