Politikë

Bardhi: PD kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses

Bardhi u ndal dhe tek rritja e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij ky është një "pazar" i pastër me qeverinë dhe se opozita do të votojë kundër.

E.K
Bardhi: PD kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve të
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar këtë mërkurë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila u shoqërua dhe me incidente pasi deputetja Flutura Açka e mandatuar nga Lulzim Basha në krye të grupit të PD-së së "vulës" braktisi mbledhjen. Jashtë Kuvendit duke folur për atë ç’ka u diskutua Bardhi tha se qeveria nuk e ka prioritet Reformën Zgjedhore. 

Gazment Bardhi: Komisioni i reformës zgjedhore u diskutua sot gjatë mbledhjes.I jam drejtuar kryetares së kuvendit për të nxjerrë përgjegjësitë për komisionin që është mbledhur 2 herë në 1 vit pa dhënë asnjë rezultat. Në zgjedhjet e 14 majit duhet të shkonim me një kuadër të plotë ligjor që përmbushte rekomandimet e OSBE. I kam kujtuar kolegëve të PS që kanë shpallur si prioritet reformën zgjedhore, për të cilën duhet të jesh serioz.

I ndalur tek zgjedhjet e lira, Gazment Bardhi tha se opozita nuk do të pranojë kurrë që në Kuvend të mos trajtohet kjo problematikë. Po ashtu ai mori përsipër dhe përgjegjësinë e opozitës për mosrealizmin e Reformës Zgjedhore pasi opozita atë kohë braktisi komisionin. 

Gazment Bardhi: Si opozitë kemi marrë përgjegjësitë tona për mosrealizimin e reformës zgjedhore. Nuk pranojmë dot që një çështje si zgjedhjet e lira të mos trajtohet. Këtë e kemi adresuar duke krijuar një ekip të ri përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore.

Bardhi u ndal dhe tek rritja e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij ky është një "pazar" i pastër me qeverinë dhe se opozita do të votojë kundër.

Gazment Bardhi: Propozimi i Ramës për të rritur pagat e gjykatësve të Kushtetueses, vjen si pazar i qartë mes Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë. Për herë të parë Gjykata Kushtetuese ka pranuar rolin si agjenci qeveritare. I është drejtuar qeverisë për rritjen e pagave, jo parlamentit. Ligji i prezantuar në Kuvend dhe është për votim nesër, sigurisht që do marrë votën kundër të opozitës parlamentare, sepse çimenton kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga qeveria. Rama i ka dërguar një mesazh sistemit të drejtësisë në vend që nëse do rritje të pagave do duhet të sillet dhe performojë si Gjykata Kushtetuese. Do duhet të ketë zero kërkesa për komisionet hetimore të pranuara të opozitës.

I pyetur nga gazetarët nëse ndonjë deputet i grupit parlamentar të Partisë Demoktratikëe do të votojë pro, Gazmet Bardhi e komentoi me ironi.

Gazment Bardhi: Nuk dua ta besoj që ka deputetë opozitarë që do japin mesazhin se Edi Rama nuk do ta ketë gjykatën kushtetuese në varësinë e tij. Nuk dua ta besoj se do vijnë në seancë e do thonë se Edi Rama është burrë i mirë që i ka rritur pagat gjyqtarëve. Bëhet fjalë për një pakt mes Ramës dhe gjykatës.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure e Konferencës së Kryetarëve ishte e pranishme edhe Flutura Açka. Por u largua me nisjen e takimit. Në një prononcim për “Zëri.ai” depuetja demokrate tha se u largua me dëshirën e saj. Kjo pasi grupi i PD i drejtuar nga Lulzim Basha ka caktuar Flututra Açkën si kryetare grupi. Kuvendi është ai që duhet ti japë zgjidhje “ngërçit” politik të krijuar në grupin e PD në Kuvend në betejën dy vjeçare për “vulën” dhe lidershipin./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB