
TIRANË- Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar ndryshimet në rregullat e administratës, sa i përket orarit të punës dhe lejes vjetore.
Punonjësit e administratës do të kenë mundësin të përcaktojnë vetë kur do të nisin ditën e punës. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Administrata do të jetë në zyrë, në fashën orare nga ora 9:30 në orën 15:30. Ndërkohë që pushimet vjetore tashmë llogariten në 22 ditë, pra shtohen 2 ditë.
“Për të garantuar që administrata publike, të jetë një punëdhënës më tërheqës, parashikohet për herë të parë koncepti i orëve fleksibël, me qëllim jo vetëm optimizimin e gjithë procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike, por mbi të gjitha për të garantuar një balancë më të mirë midis punës dhe jetës private të të gjithë punonjësve brenda administratës shtetërore. Punonjësit mund të zgjedhin të nisin ditën e punës më herët dhe ta përfundojnë më herët ose ta nisin më vonë dhe ta përfundojnë më vonë. Në bazë të këtij vendimi parashikohet që ndërkohë që kohëzgjatja ditore e punës mbetet e njëjta, pra nga e hëna në të enjte 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë. Punonjësit mund të zgjedhin ta nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më vonë ose ta nisin më vonë dhe ta përfundojë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit janë prezent në zyrat e tyre në një fashë orare nga 09:30-15:30 nga e hëna në të enjten dhe nga ora 09:30-13:00 ditën e premte”, u shpreh Pirdeni. /ZËRI/