
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se përfitimi nga amnistia i protestuesve të PD-së dhe protestave qytetare është i panegociueshëm. Sipas Bashës, hapi i parë që e zgjidh këtë është heqja dorë nga propozimet që u futën “tinëzisht” për të përfituar zyrtarët e korruptuar. Së dyti, ai ka kërkuar futjen e propozimeve të PD-së për t’u përfshirë në amnisti protestuesit.
Basha ka thënë se shpreson që tërheqja e Partisë Socialiste nga votimi për amnistinë, mos të jetë pjesë e pazarit të gjësë së gjallë për të peshkuar deputetë që ta votojnë atë.
Lulzim Basha: Dëgjuam një deklarim të PS për arsyen se pse u hoq amnistia. Shpresoj të jetë pjesë e gënjeshtrave të këtyre ditëve dhe të mos jetë pjesë e pazarit të gjësë së gjallë për të peshkuar deputetë për të votuar. Hapi i parë që e zgjidh këtë, është heqja dorë nga propozimet që u futën tinëzisht për të përfituar zyrtarët e korruptuar. Së dyti, të futën propozimet e PD për t’u përfshirë në amnisti protestuesit. Është kërkesë e PD, nuk është kërkesë për negocim, është e domosdoshme. Nuk ka asnjë tërheqje, ta marrin parasysh ata që kanë shumicën e votave, është qëndrimi ynë dhe i pandryshueshëm.
Basha dhe deputetët e tij munguan në seancën plenare të kësaj të enjteje siç paralajmëruan një ditë më parë.