Politikë

Ligji për zonat e mbrojtura, BE: Po e ndjekim me vëmendje zbatimin

Delegacioni thekson se ligji duhet të jetë sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

k.m.
Ligji për zonat e mbrojtura, BE: Po e ndjekim me vëmendje zbatimin
Foto ilustruese

TIRANË- Bashkimi Europian në Shqipëri ka reaguar pasi Kuvendi kaloi sot ligjin e ri për zonat e mbrojtura. Me anë të  një reagimi zyrtar në platformat online, delegacioni i BE lajmëron se do ta ndjekin hap pas hapi zbatimin e ligjit të ri, për të cilin theksojnë se duhet të jetë sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

POSTIMI I PLOTË:

Ligji për zonat e mbrojtura, BE: Po e ndjekim me vëmendje zbatimin

"Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane. Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë,"-shkruhet në postim. 

Kuvendi kaloi sot ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, i cili i jep atribute Këshillit Kombëtar të Territorit që të vendosë për shfrytëzimin e këtyre zonave në varësi të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit. Propozimet kryesore për ndryshimin e ligjit të vitit 2017, që vendos kufizime të shumta për veprimtaritë brenda Zonave të Mbrojtura, vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës si dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që projektet strategjike brenda zonave të mbrojtura të përfshihen mes aktiviteteve të lejuara. Agjencia e Zhvillimit të Territorit propozon gjithashtu që të jetë pikërisht KKT-ja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama që të shpallë zonat e mbrojtura, "si organi më i lartë vendimmarrës i planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe që ka në përbërjen e vet pjesën më të madhe të anëtareve të Këshillit të Ministrave”./ZËRI

Poll

MOS HUMB